Një zë i shuar që manipulon me ish-të përndjekurit politikë
Po kuptohet shumë qartë dhe çdo ditë që kalon se e ashtuquajtura Aleancë Kuq e Zi e Kreshnik Spahiut është një patericë e shtrembëruar e Edvin Ramës që nuk luan asnjë rol dhe nuk ka asnjë alternativë si forcë politike. Por gafa më e madhe ishte përpjekja e tij që të manipulonte me shtresën më fisnike të popullit shqiptarë, me ish-të përndjekurit politik të diktaturës komuniste. Etja për të patur një karrike deputeti apo se çfarë në të vërtetë e ka gënjyer Edvini, i ka errur sytë dhe harlisur mendjen Kreshnikut. Nuk do të kisha harxhuar kohë me idiotësinë e këtij sharlatani politik, sikur të mos gërmonte edhe në plagët tona dhe të bashkëvuajtësve të mi që kemi sakrifikuar rininë, jetën tonë, të afërmit tanë që akoma varret nuk u gjendën, në emër të lirisë dhe demokracisë. Nuk është aspak e mundur që një njeri i tillë, një sahanlëpirës i kudogjendur për interesat e tij personale, të mendojë se me demagogjinë e tij prej ordineri të përpiqet të gënjejë opinionin se paska mbledhur në vathën e tij edhe ish-të përndjekurit politikë. Sigurisht në kohën tonë, nuk është e vështirë që një pseudopolitikan i dështuar si Kreshniku të mbledhë nja 10-15 njerëz dhe t’i etiketojë si të mundet, duke lëshuar tollumbace në erë si ata fëmijët e kopshteve në një ditë me diell dhe për mediat e komanduara nga Edi Rama, të përbëjë lajm. Duke manipuluar me ish-të përndjekurin politik Lirak Bejko, Kreshnik Spahiu bëri faqen e tij të zezë në përpjekje për të përfituar kredite politike me fatkeqësinë e një tjetri.
Ashtu se çfarë në të vërtetë tha Kreshniku, “kur të vijë në pushtet AK”, si “prit gomar se do mbijë bar”, ish-të përndjekurit do të gjejnë parajsën. “Do të sekuestrojmë pronat e Berishës,ministrave dhe deputetëve të PD dhe shtëpitë e tyre do t’ua japim juve. Ju do të jeni në qeverinë e ardhshme”. Por një gjë nuk ka kuptuar dhe kjo fyen të gjithë ish-të përndjekurit politikë të Shqipërisë. Si mundet të mendojë ky mashtrues i votave që mendon të mbledhë, se mundet të gënjejë marrëzisht dhe paturpësisht, njerëz të tillë si ish-të përndjekurit politikë, që më i thjeshti i tyre ka mend aty ku nuk thuhet, sa ka në të vërtetë Kreshnik Spahiu në kokën e tij që i ka marrë erë dhe nuk është mirë nga fiqiri. Si na u mbush Shqipëria jonë me një tufë budallenjsh të tillë që kanë hyrë në politikë për interesat e tyre personale dhe kundër interesave kombëtare! Por kjo në të vërtetë përbën një tradhti kombëtare dhe këtë mundet ta kuptojë fare mirë edhe Kreshniku si jurist që pretendon të jetë. Kreshniku është si një sozi e Erjon Velisë me G99-n, që sapo hyri në politikë, u shua si bryma para diellit dhe vajti të bëhej bishti dhe servili më i bindur i Edvinit. Ai nuk zuri në gojë aspak Edvin Ramën dhe kartelet e ndërtimit në Bashkinë e Tiranës që e kanë bërë Kryetarin e Partisë Socialiste njeriun më të pasur të Ballkanit. Ky njeri “i varfër dhe i pastrehë me vetëm 3 mijë Euro pasuri”, kalon pushimet dimërore në plazhet e nxehta të globit, ku një natë në hotelet e Dubait i kushton dhjetë mijë euro. Ku vetëm për të vënë dhëmbët e rënë nga martesa e tij e pestë me Lindën në pragun e moshës së tretë, i kushtuan plot 36 mijë euro. Nuk ju kujtuan as deputetët miliarderë dhe multimiliarderë të Partisë Socialiste “se edhe këtyre do t’u sekuestronte pronat kurë do të merrte pushtetin Kreshniku”.Këto nuk ju kujtuan Kreshnikut, apo ju kujtuan dhe nuk mundi të thotë asnjë fjalë kundër padronit të tij.
Demagogjia e këtijë sharlatani politik nuk ka të ndalur dhe ngjanë me hajdutin që çirret duke bërtitur kapeni hajdutin. Me nje gjuhe idioteske i ka mbetur vetëm Berisha ne goje. Kreshniku ishte në postin më të lartë si NKryetarë i Këshillit të Lartë të Drejtësisë dhe kishte mjaft kohë në dispozicion që të denonconte rastet e korrupsionit në administratën shtetërore dhe kudo gjetkë. Të përpiqej që të reformonte organet e drejtësisë si figura numër dy me Presidentin Topi. Por si njërin, edhe tjetrin u kishte errur sytë dëshira për t’u pasuruar me afera korruptive nëpërmjet gjyqtarve të emëruar dhe të korruptuar dhe mënyra të tjera të sofistikuara. Të gjith shqiptarët janë të informuar se si dhe në çfarë mënyre u pasuruan këta mashtrues ordinerë, që janë gati të shesin gjithçka është e vyer në moralin e mirënjohjes për karshi një force politike që investoj kaq shumë për ta siç është në të vërtetë Partia Demokratike. Njerëz që nuk e kanë për gjë të hanë turpin me bukë. “Kur arixhiu u bë pasha, të parin vrau Babanë e tij”, thotë një fjalë e popullit. Prandaj nuk është për t’u çuditur se çdo ditë që kalon Kreshnikut i është ngjirur zëri si megafon i prishur dhe vetëm mediat afër Edi Ramës i bëjnë publicitet. Ku i merr paratë Kreshniku që organizon dhjetëra mitingje me mercenarë të paguar në qytete të ndryshme të Shqipërisë deri edhe në Kryeqytetet e Europës dhe Amerikë? Ai më parë të bëjë transparencën e parave të pista që po përpiqet të përdorë në politikë dhe më pastaj t’u hedhë hi syve shqiptarëve. Se sa i dhemb zemra Kreshnik Spahiut për të përndjekurit politik dihet mirëfilli. Atë nuk e lidhë asgjë me shtresën më fisnike të vuajtur nga diktatura komuniste. Dhe sado përpiqet të gërmojë për ndonjë votë që mundet t’i vijë nga ish të përndjekurit politik, do të mbetet me gishtin në gojë. Dhe bishtin e qenit ka për të gjetur.