Ngujimi i Allegreto Albania, në skenën gjermane
Festivali teatror Vizabaden-Festival, që do të zhvillohet në qershor në Gjermani pret dhe dramën shqiptarePas suksesit që ka pasur në skenat teatrore mbarëshqiptare, por dhe në disa festivale teatrore jashtë vendit shfaqja Allegreto Albania do të përfaqësojë Shqipërinë në një prej festivaleve më të mëdha teatrore që zhvillohen prej disa vitesh në Gjermani. Në festivalin teatror Vizabaden-Festival ish Bienalja e Bonit, që do të zhvillohet në Gjermani nga data 17 deri më 27 qershor të këtij viti do të marrë pjesë dhe shfaqja Allegreto Albania me regji të Altin Bashës
shkruar nga dramaturgu i njohur Stefan Çapaliku. Pranë Teatrit Kombëtar bëjnë të ditur se shfaqja shqiptare do të shfaqet dy herë në dy qytete. Allegretto Albania, është drama fituese e konkursit kombëtar të dramës shqipe organizuar nga Ministria e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve më 2007. Basha- Çapaliku në këtë vepër teatrore ngrenë në këmbë historinë e një kryefamiljari i ngujuar me familjen për shkak të një krimi që nuk e ka kryer vetë, por për të cilin duhet të përgjigjet në bazë të ligjeve të Kanunit. Duke iu referuar kritereve të Kanunit, tek kryefamiljari lindin dilemat: A është ai më i zoti i fisit të tij? Në këtë situatë përzihet edhe një OJQ e huaj e cila në emër të asistencës humane nuk merret me zgjidhjen e problemit, por dhuron për familjen e ngujuar pampers dhe një aparat radiografie. Shto këtu edhe rolin e medias në dramën e familjes. Autorët thonë se shfaqja do t'i ngjajë një procesi diagnostifikimi mjekësor, nëpërmjet të cilit zbërthehen karakteret dhe pamjet makabre të disa njerëzve që nuk e kanë zgjedhur fatin e tyre. Atmosferën e përcjell muzika e gjallë e një orkestre, ku secili instrument përfaqëson një personazh dhe ku të gjithë bashkohen si një familje. E ndërkohë për vetë temën që ajo trajton kjo vepër është pritur shumë mirë dhe në skenën kosovare, pas suksesit që ajo pati në skenën e Teatrit Kombëtar. Kështu para disa kohësh tri net me radhë mjaftuan që arti i skenës ta pushtojë publikun artdashës, të etur tashmë, të Kosovës. Këtë e bëri fuqishëm, bindshëm, magjishëm, shfaqja e Teatrit Kombëtar të Tiranës në Teatrin Kombëtar të Prishtinës më 6 dhe 7 prill, si dhe interpretimi në skenën e shtëpisë së kulturës, Asim Vokshi të Gjakovës, më 8 prill 2009, të Allegretto Albania, me autor teksti Stefan Çapalikun dhe regji të Altin Bashës. Vepra teatrale, e cila erdhi me lojën e shkëlqyer të aktorëve Mirush Kabashi, Olta Daku, Ahmet Pasha, Gazmend Paja, Vasjan Lami, Klea Rondo dhe Xhejni Fama,u duartrokit fuqishëm në skenën e Prishtinës. Skenografia dhe kostumet mbajnë firmën e Iliriana Loxhës, muzika i përket Endri Sinës, ndërsa Kled Kapexhiu vjen si as.regjisor. Te Çapaliku kemi gjetjen, mënyrën e bërjes së lojës për të qenë bindëse dhe për të dhënë një mesazh, një moral, një katarsis që duhet të ketë një realizim i mirëfilltë skenik. Komikja përballë pasojës, jo krimit, por fateve që e vuajnë, të shumtën e rasteve padrejtësisht, dënimin që vjen nga një kanun i stërlashtë me nenet dhe paragrafët mesjetarë që rilindën dhe qëllojnë e fshikullojnë pamëshirshëm. Në kërkesën e skenografes dhe kostumografes së Allegretto Albania, shihen qartë vijat e trasha të koordinatave të lojës, idesë, mesazhit, imazhit, plotësisë skenike për të joshur syrin, mendjen, për ta arritur kulmin e përjetimit estetik. Bashkëpunimi i teatrove shqiptare Tiranë-Prishtinë-Shkup bëri të mundur që shikuesit kosovarë të shohin një realizim skenik jo të zakonshëm, përmasat e të cilit tejkalojnë zhvillimet teatrore mbarëshqiptare.Nga Julia Vrapi