E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ngushtohet rrethi

Rrethi i mundësisë së keqpërdorimeve, në zgjedhjet e 9 janarit, po ngushtohet. Komisionerët e 12 dhjetorit do të zëvendësohen me të rinj. Parashihet edhe shtimi i mbikëqyrësve vendorë e ndërkombëtarë, gjatë krejt procesit. Edhe Policia është gati të veprojë. Nga Faton Ismajli më 26 dhjetor 2010 në ora 10:37

Rrethi i mundësisë së përsëritjes së keqpërdorimeve po ngushtohet. Asnjë komisioner që ka marrë pjesë në zgjedhjet e 12 dhjetorit në Skenderaj, Deçan e Drenas nuk do të marrë pjesë në përsëritjen e procesit zgjedhor në këto komuna, më 9 janar të vitit të ardhshëm.
Emrat e tyre do të dërgohen në Prokurori dhe polici, ku do të fillojnë procedurat penale për keqpërdorim të vullnetit të qytetarëve.
Ata pritet të japin llogari para gjykatave se pse nuk e përfillën vullnetin e qytetarëve, por tentuan që të ndikojnë që dikush të bëhet deputet.
Por, nuk është vetëm ndërrimi i komisionerëve masa e vetme që do të merret për zgjedhjet e janarit.
KQZ’ja ka vendosur edhe për shkarkimin e të gjithë menaxherëve të qendrave të votimit, shtimin e vëzhguesve ndërkombëtarë dhe anulimin e votave me kusht për dy komuna - Malishevë dhe Lipjan.
“Kemi vendosur t’i ndërrojmë komisionarët, ashtu siç na ka rekomanduar PZAP-i. Emrat e tyre do të dërgohen në Prokurori, ashtu siç ka kërkuar edhe organet e hetuesisë”, ka thënë për Express, të shtunën, Valdete Daka, Kryetare e KQZ’së. “Do të dërgohen ekipe shtesë në ato vendvotime”.
Daka ka përmendur vëzhguesit vendorë dhe ndërkombëtarë.
“Ekipet e vëzhguesve ndërkombëtarë do të qëndrojnë në secilën qendër të votimit. Do të ketë ekipe statike. Ata do të jenë prezentë prej momenti të hapjes, deri në përfundimin e krejt procesit”, ka theksuar ajo.
Sipas premtimeve të ndërkombëtarëve, më 9 janar do të ketë rreth 90 ekipe të vëzhguesve të huaj, të cilët do të qëndrojnë në qendrat e votimit deri në përfundim të procesit të numërimit. Ndërkaq, koalicioni i OJQ’ve “Demokracia në Veprim” do t’i ketë të angazhuar rreth 4000 mbikëqyrës.
Daka ka thënë se janë duke bërë përpjekje maksimale që të mos lejohet asnjë vëzhgues të jetë nga komunat ku do të përsëriten zgjedhjet, por ata të dërgohen nga komuna të tjera, me qëllim që të mos koordinohen për të manipuluar votën.
Udhëheqësja e procesit zgjedhor ka thënë se do të ketë kujdes ndaj vëzhguesve që kanë qenë të angazhuar më 12 dhjetor, që të mos lejohen të përzihen me vëzhguesit e 9 janarit.

Vullnet pozitiv politik

Ish-shefi i KQZ’së, Andan Merovci, thotë se institucionet që i organizojnë zgjedhjet duhet vetëm të zbatojnë ligjin me përpikëri, në mënyrë që mos të lejohet prishja e procesit zgjedhor më 9 janar.
Ai konsideron se nuk mjaftojnë vetëm hapat e KQZ’së për të parandaluar vjedhjen e votave. “Këta hapa të ndërmarrë janë minimumi, ose thënë ndryshe hapa të domosdoshëm. Kemi edhe hapa të tjerë të nevojshëm, e ata janë vullneti, vullneti dhe vetëm vullneti pozitiv politik”.
Merovci ka kërkuar që ditën e votimit vëzhguesit të kenë kujdes në identifikimin e votuesve, duke i ndaluar ata që tentojnë të votojnë disa herë.
“Masat që duhet t’i marrë KQZ’ja në këtë rast janë pak a shumë të ditura. Duhet qenë më syçelë gjatë identifikimit të votuesve, ashtu që mos të votohet pa të drejtë. Kjo arrihet me vigjilencë të ekipeve në vendvotime, komisionerëve, vëzhguesve dhe vetë subjekteve politike, të cilët duhet të reflektojnë vullnet pozitiv politik”, ka shtuar ai.
Sipas Merovcit, nuk janë krejtësisht fajtorë komisionerët për vjedhjen e votave.
“Subjektet politike janë inspiruesit e komisionerëve”, ka akuzuar ai.
“Komisionerët kanë abuzuar gjithandej, ku më shumë e ku më pak, por të gjitha subjektet politike kanë qenë të predispozuara që t’i inspirojnë komisionerët për keqpërdorime”, ka konstatuar Merovci.

Vepron Policia

Procesi zgjedhor në Kosovë është vlerësuar pozitivisht nga të gjithë, në fillim, por pas publikimit të fakteve se ka pasur manipulime të votave, vlerësimet kanë ndryshuar.
Është konstatuar se ka pasur vjedhje masive të votave më 12 dhjetor. Shumica e ankesave të partive rivale ndaj PDK’së janë miratuar nga Paneli i Ankesave dhe Parashtresave, nga gjithsej 171 ankesa. Ndërkohë, faktet e prezantuara në PZAP dhe KQZ për vjedhje të votave janë kërkuar nga organet e ndjekjes.
Burime të Expressit brenda policisë sqarojnë se tashmë është përpiluar lista e komisionarëve, të cilët do të intervistohen në lidhje me keqpërdorimin e votave.
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë, Reshat Maliqi, ka thënë se nuk ka informata nëse Policia e Kosovës ka filluar të dërgojë ftesa për t’i marrë në intervistë komisionerët që dyshohen se kanë keqpërdorur votën e 12 dhjetorit.
“Ne kemi shprehur gatishmërinë tonë që të bashkëpunojmë dhe të hetojmë të gjithë ata që dyshohen se kanë keqpërdorur votën e qytetarëve të Kosovës”, ka thënë Maliqi për Express, të shtunën.
“Ne kemi thënë dhe e përsërisim se e mbështesim KQZ’në dhe Prokurorinë në të gjitha rastet që dyshojnë se ka keqpërdorim apo vjedhje të votave. Ne do të veprojmë në koordinim me Prokurorinë”, ka premtuar Maliqi.

Rinumërohen gjysma

Vetëm gjysma e votave janë rinumëruar në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve në Fushë-Kosovë. Kjo është bërë e ditur nga Kryetarja e KQZ’së, Valdete Daka, e cila ka njoftuar se numërimi do të rifillojë të martën.
“Deri më tani janë numëruar mbi 350 kuti të votimit. Shumica e tyre po na dalin të rregullta, me disa gabime teknike. Ka pasur edhe keqpërdorime nga komisionerët, ku në disa raste kanë shtuar votat kandidatëve”, ka deklaruar Daka.
Vendimi i KQZ’së për rinumërimin e 40-përqindëshit të krejt votave të zgjedhjeve të 12 dhjetorit është marrë pas vërejtjeve se ka pasur manipulime nga komisionerët, të cilët sipas qejfit të tyre, ua kanë shënuar votat kandidatëve për deputetë.

PZAP: S’ka nevojë për anulim zgjedhjesh

Presidenti në detyrë, Jakup Krasniqi, ka thënë se vetëm Komisioni Qendror i Zgjedhjeve dhe Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa mund të vendosin nëse do të ketë anulim të tërësishëm të votave dhe zgjedhje të reja. Por, Shukri Sylejmani, që udhëheq PZAP’në, ka thënë se nuk ka nevojë që zgjedhjet të përsëriten në krejt vendin. “Unë nuk besoj se procesi zgjedhor më 12 dhjetor është dëmtuar aq seriozisht sa që ta anulohen zgjedhjet. Konsideroj se gjasat janë që të mos përsëriten zgjedhjet”, ka thënë Sylejmani për RTV21.

Rinumërohen vota të Klinës

Kryetari i Komisionit Komunal Zgjedhor në Klinë, Skënder Veselaj, ka konfirmuar se në Qendrën e Numërimit të Votave do të rinumërohen votat e 27 vendvotimeve të kësaj komune. “Për ne ka qenë gjithçka në rregull, ne i kemi dërguar të dhënat tona, por partitë kanë bërë vërejtjet e tyre dhe tash është duke u bërë rinumërimi i tyre”, ka thënë Veselaj të shtunën. Sipas tij, në zgjedhjet e 12 dhjetorit është votuar në 16 qendra të votimit me 52 vendvotime. Duke përjashtuar vendvotimet në lokalitetet serbe Videjë dhe Bingjë, në të gjitha qendrat e tjera do të bëhet rinumërimi i të paktën një vendvotimi.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›