E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zyrtarizohen pronat legale

Projekti i regjistrimit të pronave në Agjencinë Kadastrale të Kosovës është duke vazhduar. Afati i fundit për dorëzimin e dokumentacioneve është 31 dhjetori. Me regjistrimin e objekteve në kadastër merret kompania private “Geoproject”. Në projekt nuk përfshihen objektet pa leje dhe mbindërtimet. Nga Lirita Halili më 26 dhjetor 2010 në ora 11:13

Përveç procesit të legalizimit, Komuna e Prishtinës, më saktësisht Zyra Kadastrale e kësaj komune, është duke e aplikuar edhe një projekt tjetër - atë të regjistrimit kadastral, të shtëpive e banesave në emër të pronarëve.

Por, Komuna nuk e bën vetë këtë regjistrim. Me mbledhjen e të gjitha dokumenteve për regjistrimin e objekteve në kadastër merret kompania private “Geoproject”. Kjo kompani është e autorizuar nga Agjencia Kadastrale e Kosovës, kurse Komuna e Prishtinës është vetëm partnere e projektit.

Përveç autorizimit, kjo kompani nuk përfiton asgjë tjetër nga AKK. “Geoproject” është e financuar nga Banka Botërore.

Zekirja Elezi, menaxher i këtij projekti, thotë se përveç financimit, Banka Botërore bën edhe monitorimin e kompanisë, e cila mbledh dokumentacionin për regjistrimin e objekteve në Agjencinë Kadastrale të Kosovës.

“Gjatë kësaj faze, pos Prishtinës, jemi duke e implementuar projektin edhe në tri qendra të tjera të Kosovës, Prizren, Pejë dhe Gjilan”, pohon Elezi për Express.

Muaj më parë, “Geoproject” ka shpërndarë nëpër të gjitha banesat që ndodhen në komunën e Prishtinës njoftimin se gjatë muajve tetor, nëntor dhe dhjetor do të mblidhen të gjitha të dhënat për regjistrimin kadastral të banesave apo lokaleve afariste.

Agjencia, pos që ka kërkuar që dorëzimi i dokumenteve të bëhet në afat, për të gjithë qytetarët ka edhe një ofertë. Në fletët e shpërndara ajo ka bërë të ditur se nëse pronarët e ndërtesave, banesave dhe lokaleve afariste e regjistrojnë objektin e tyre brenda afatit të paraparë, regjistrimi tyre mund të bëhet pa asnjë shpenzim. Kurse aplikacionet që dorëzohen pas datës 31 dhjetor të këtij viti, nuk do të merren parasysh dhe nuk do të konsiderohen si pjesë e projektit.
“Pas 31 dhjetorit, të gjithë ata që s’e kanë bërë regjistrimin në bazë të projektit, do të detyrohen që një gjë të tillë ta bëjnë me pagesë”, thotë i bindur menaxheri i projektit, Zekirja Elezi.

Hera e dytë

Megjithatë, kjo nuk është hera e parë që AKK-ja ka filluar një projekt të tillë.

Besa Fetiu, qytetare nga Prishtina, mban mend të ketë dorëzuar edhe në vitin 2007 disa dokumente për regjistrim të banesës së saj në kompaninë “Geoproject”. Asaj edhe këtë vit i ka ardhur njoftimi se duhet që, edhe njëherë, t’i dorëzojë ato.
“E di që kopjen origjinale të dokumenteve atëkohë e kam vërtetuar në Komunën e Prishtinës dhe i kam dorëzuar në këtë kompani”, tregon Besa për Express.

Por, ajo thotë se i është dashur që edhe këtë vit t’i nënshtrohet sërish këtij projekti.
“Kompania më tha se nuk i kam të gjitha dokumentet dhe se duhet t`i dorëzoj të gjitha, në mënyrë që të përmbushet dokumentacioni”, sqaron ajo.

“Përveç kësaj, mbaj mend se edhe vitin e kaluar më është dashur një dokument për pronë në Komunën e Prishtinës. Kur shkova aty, prona ime nuk ishte regjistruar fare. Thjesht, nuk figuronte askund”, pohon Besa.

Mirëpo, zyrtarë të Komunës së Prishtinës kanë një shpjegim për këtë ankesë. Muhamet Gashi, zëdhënës, thotë se duhet dorëzuar komplet dokumentet në kompaninë, e cila është e autorizuar nga AKK-ja.

“Derisa të gjitha dokumentet të procedohen në atë kompani, edhe në Komunë nuk mund të ekzistojë asnjë pronë në emër të akujt”, sqaron Gashi për Express.

Kurse Zekirja Elezi, menaxher i “Geoproject”, thotë se njoftimi për ata qytetarë, të cilët kanë dorëzuar dokumente gjatë vitit 2007, është bërë për një arsye.

“Sigurisht ata gjatë aplikimit nuk i kanë dorëzuar të gjitha dokumentet. Prandaj, kompania jonë u ka dërguar atyre njoftimet për dokumentet shtesë, të cilat duhet t’i kenë, në mënyre që të dhënat të bëhen komplete”, shpjegon Elezi.

“Dokumentet që ata qytetarë i kanë dorëzuar në vitin 2007 sigurisht nuk kanë humbur. Lëndët e tyre janë të arkivuara në Agjencinë Kadastrale”, pohon Elezi, sipas të cilit me plotësimin e të gjitha dokumenteve tjera të kërkuara nga kompania “Geoproject”, prona e tyre do të jetë e regjistruar si në AKK, ashtu edhe në Komunën e Prishtinës.

Sipas Elezit, jo të gjitha objektet ekzistuese në komunën e Prishtinës mund t’i nënshtrohen projektit të regjistrimit kadastral. Në projekt nuk mund të përfshihen mbindërtimet dhe banesat që janë të ndërtuara pa lejen e Komunës. “Nga objektet pa leje dhe mbindërtimet nuk mund të regjistrojmë asgjë. Ne e bëjmë incizimin e tyre, mirëpo për të dy rastet pronarët aktualë duhet të sjellin leje dhe dokumentacion nga Komuna”, tha Elezi. Në të kundërtën, ato objekte në asnjë mënyrë nuk do të mund të trajtohen dhe nuk do të regjistrohen në librin final të AKK-së.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›