E Shtunë, 31 Tetor 2026

Haxhinasto: Fushatë sensibilizuese kundër raportit të Martyt

Nga Express më 26 dhjetor 2010 në ora 12:42

Tirana zyrtare do të zhvillojë një fushatë sensibilizuese për të sqaruar se akuzat e paraqitura në raportin e Dick Martyt nuk janë të bazuara në fakte, por do të pranojnë çdo hetim në mënyrë që të rrëzohen akuzat, tha ministri i Jashtëm i Shqipërisë, Edmond Haxhinasto.

Votimi i raportit të Dick Martyt në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës më 25 janar 2011 do të jetë sfida e parë e diplomacisë së Shqipërisë për vitin e ardhshëm.

“Ne do të sqarojmë të gjithë partnerët tanë për gatishmërinë e Shqipërisë dhe Kosovës për të bashkëpunuar dhe që raporti i Marty të hetohet”, u shpreh Haxhinasto, siç transmeton Evropa e Lirë.

Sfida tjetër e rëndësishme për Shqipërinë është përpjekja për të marrë vitin e ardhshëm statusin e vendit kandidat në Bashkimin Europian. Sipas ministrit të jashtëm problemi kryesor që mban pezull integrimin është zgjidhja e ngërçit politik:

“Çështja që pengon dhënien e statusit dhe hapjen e negociatave është dialogu politik.”

Këto komente shefi i diplomacisë së Shqipërisë i bëri me rastin e fundvitit për mediat vendore.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›