E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ngutja e profesor Tritanit

KLODIANA SPAHIU

Eshtë e njohur që prof. Tritan Shehu është një nga njohësit më të mirë të politikave shëndetësore në vendin tonë. Formimi i tij akademik dhe veçanërisht pozicionet e larta që ka pasur për një kohë të gjatë si ministër i Shëndetësisë dhe kryetar i Komisionit Parlamentar të Çështjeve Sociale dhe Shëndetësisë, kanë bërë që ai sot të jetë një zë publik në fushën e politikave shëndetësore.
Është po kaq i njohur edhe fakti që profesori i nderuar Tritan Shehu, me paraqitje mjaft të shpeshta në median e shkruar dhe atë vizive, nuk para ngutet kur shpreh opinionet e tij. Mirëpo në një shkrim të fundit të tij në gazetën Panorama mbi strategjinë që po ndërton Partia Socialiste për shëndetësinë, mbështetur në diskutimin tim në Parlamentin e Shqipërisë, mendoj se ai është ngutur. Dhe kur ngutesh, me shumë gjasa gabon.
Nisur edhe nga fakti që opinionin e tij prof. Tritani e ka titulluar Një debat për sistemin shëndetësor po mundohem që me shumë thjeshtësi të sqaroj e qetësoj sadopak profesorin, por edhe publikun e gjerë lidhur me strategjinë tone për sistemin shëndetësor dhe impaktin që do të ketë ajo n zhvillimin e shëndetësisë sonë.
1.Para së gjithash dua të sqaroj se dëshirat, debatet dhe diskutimet për reformimin rrënjësor të sistemit tonë shëndetësor nuk filluan sot në mbledhjet e Parlamentit. Gjendja e vështirë (e pse jo katastrofale po përdor një term që profesori i nderuar ka përdorur pa kursim në opinionin e tij), e sistemit tonë shëndetësor, me cilësinë e dobët të shërbimit që ofron, mungesa të theksuara deri edhe ilaçeve dhe mjeteve me elementare të mjekimit, aksesin e kufizuar territorial dhe njerëzor, korrupsionin metastazik, pagesat e bashkëpagesat e stërfryra, kanë bërë që popullit ti arrijë thika në kockë. Partia Socialiste, si partia më e madhe në vend dhe me filozofi të qartë sociale në themelin e saj, këtë shqetësim të qindra mijëra qytetarëve të këtij vendi e sintetizoi në Kongresin saj të 5 nëntorit me programin e saj për ndërtimin e një sistemi shëndetësor kombëtar, i cili do të jetë një formë tjetër organizimi dhe funksionimi që do ta shërojë këtë sistem që po dergjet.
2. Për të qenë më precize në debatin tim, po citoj: Në esencë ishin po ato gënjeshtra komuniste që ne kemi dëgjuar për 50 vite resht, për shëndetësinë falas, barazinë dhe lumturinë e të gjithëve. Ne mendojmë se të mbështetesh në një model si ai britanik, ose siç njihet ndryshe Beveridge, që ka dhjetëra vite që funksionin me sukses të plotë jo vetëm në Britaninë e Madhe, por edhe në vende të tjera si Spanjë, Danimarkë, Suedi, Itali etj., është garanci për të zgjidhur me sukses edhe plagët e rënda të sistemit aktual shëndetësor në vendin tonë. Nga ana tjetër, ta quash sistemin shëndetësor britanik, italian apo spanjoll një sistem shëndetësor komunist, duhet të kesh guxim të madh, pasi duhet të rishikosh të gjithë historinë botërore të së paku 300 viteve të fundit.
3. Shqetësimi më i madh që përdoret edhe si argumenti më i fortë kundër sistemit që propozohet është, citoj: vendosja në themel të kësaj strategjie e koncepteve të vjetra centraliste në organizim, menaxhim, financim e orientim, të thëna nëpërmjet disa sloganeve populiste, aspak në përputhje këto me konceptet e sotme të ekonomisë sociale të tregut. Dua të siguroj, i nderuar profesor, se sistemi shëndetësor britanik është sistemi shumë i decentralizuar, pasi janë institucionet lokale dhe dhënësit e shërbimeve shëndetësore ata që vendosin për planifikimin, mënyrën e organizimit dhe dhënien e shërbimeve shëndetësore. Të mos harrojmë që me sugjerimin dhe asistencën e Bankës Botërore dhe Organizatës Botërore të Shëndetësisë, elemente të rëndësishme të sistemit britanik, si Autoriteti Shëndetësor Rajonal (ASHR), janë aplikuar edhe në sistemin tonë shëndetësor të sotëm, suksesi i të cilave është sabotuar me sukses nga ata, interesat e të cilëve janë të tjera nga ato të përmirësimit të shëndetit të popullatës.
4. Ne opinionin tuaj ju shpreheni: Për politika thellësisht proteksioniste ndaj sektorit publik, pra për shkatërrimin dhe të asaj që kemi arritur deri sot, drejt tregut të shëndetit. Te them të drejtën, kjo është pak të quhet ngutje; ky është keqinterpretim me dashje i qëllimit tonë të shprehur qartë se jemi për zhvillimin e një sistemi shëndetësor të mbështetur fuqimisht në të dyja këmbët e tij, që janë shërbimi publik dhe shërbimi privat. Janë politikat tuaja të këtyre shtatë viteve që kanë krijuar një çrregullim të rrezikshëm të këtij ekuilibri, duke dobësuar skajshmërisht shërbimin publik me pasoja të rënda në shëndetin e popullatës dhe rritjen artificiale të kostove të shërbimit. E përsëris, ne do të krijojmë të gjitha kushtet e domosdoshme që sistemi ynë shëndetësor të zhvillohet i shëndetshëm e në harmoni të plotë midis shërbimit publik e atij privat. Ju garantoj se përmirësimi i mënyrës se financimit të sistemit shëndetësor nëpërmjet taksimit të përgjithshëm do të jetë një garanci absolute për të trajtuar si të barabartë shërbimin shëndetësor privat në dhënien e shërbimit ndaj qytetarëve të këtij vendi.
I nderuar profesor, në mbyllje të këtij prononcimi, ritheksoj se e vlerësoj shumë idenë tuaj për të zhvilluar një debat mediatik për të diskutuar mbi problemet e reformimit të sistemit shëndetësor. Por besoj se këtë herë së paku jeni ngutur në prononcimin tuaj. Them së paku, pasi ky prononcim duket që larg që është i qepur me penjtë blu të forcës politike së cilës i shërben, dhe jo vetëm kaq. Problemet e sistemit tonë shëndetësor, sikurse i keni trajtuar edhe ju në disa shkrime tuajat, herë me dorashka e herë më hapur, janë të shumta, serioze e të majisura keq. Zgjidhja e këtyre problemeve vjen vetëm me reforma rrënjësore, të cilat do të synojnë ndryshimin e mënyrës së organizimit, funksionimit e financimit të sistemit shëndetësor gjithmonë duke u mbështetur në modele që kanë dhënë prova se janë të suksesshme, siç është edhe modeli britanik.
*Deputete e PS

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›