Siguri apo mallkim
Kujtdo që hyn në Tiranë nëpërmes rrugës së Durrësit, ose del prej andej, i bie në sy rëndom që, i gjithë segmenti, nga korsitë hyrëse tek mbikalimi i Kamzës e deri tek Zogu i Zi, është i mbushur me kokrriza xhamash të thyer, me copa frexhosh, stopash plastikë, të kuqe, të verdha, blu e të zeza. Ky është bilanci i dhjetëra përplasjeve të vogla të automjeteve, të cilat nxitojnë qendrën e metropolit, por, që nga dendësia e trafikut, janë të detyruara të ecin në rreshta paralele dhe ku normalisht, dikton një temp të ulët shpejtësie.
Raste të padëshiruara më kanë bërë të jem i pranishëm në të tilla përplasje të cilat, në shumicën e rasteve, kalojnë në sherre e deri në përleshje fizike. Është e kuptueshme e deri në një farë mase e përligjshme ngarkesa psikologjike dhe nervore që shfaqet tek pjesëmarrësit e drejtpërdrejtë në këtoxing-e, por është e pafalshme, skandaloze fjalori rrugaç, kanosjet me mjete të forta rrethanore e sidomos ultimatumet financiare të tipit: Kaq qindmijëshe cash- ose, ja ku i ke çelesat dhe, nuk lëviz i gjallë prej këtij vendi!.
Banalitetin e skenës e shton prania e policit rrugor, i cili, kur nuk ka lëndime në njerëz (në shumicën e rasteve këto përplasje janë pa lëndim), me një qetësi dhe indiferencë totale u thotë të përplasurve:
-Rregullohuni me njëri-tjetrin!, dhe vazhdon avazin e tij, të bëjë shenja me tabelë për të vazhduar lëvizja.
Kur këto pamje shfaqen jo më larg, por vetëm dy-tre kilometra nga Sheshi Skënderbej, në prani të shefave, task force-ve dhe kamerave, mund të merret me mend se, çfarë mund të ndodhë diku më tutje, në periferi, apo në provincë e rrugë rurale.
Mendoj se vlen ti mëshohet fort këtij argumenti për të nxjerrë në pah dy probleme tepër të mprehta që shoqërojnë aktualitetin tonë jo vetëm rrugor;
E para: këto mikrondodhi në dukje janë zanafilla e batërdisë në aksidentet e trafikut rrugor e deri tek zënia e pusive dhe e hakmarrjeve me armë. Vetëm duke iu referuar statistikave zyrtare, vdekjet nga aksidentet rrugore, që duhen cilësuar si vrasje rrugore, (ligjvënësit italianë e kanë futur së fundmi këtë cilësim në kodin e tyre penal), janë sa katërmbëdhjetë Gërdecë apo njëqind 21 Janarë.
E dyta: Në Shqipëri, duke filluar së pari nga INSIG-u, kemi të paktën tetë kompani të mëdha sigurimesh. Kjo do të thotë që, në aspektin ligjor, ne e kemi të siguruar jetën, shëndetin dhe pasurinë. Prej këndej, nuk ka asnjë arsye ti hakërrehemi njëri-tjetrit kur thyejmë fenerët, stopat apo pasqyrat e makinave. Meqenëse panorama në rrugë, jashtë saj, por edhe në zyra, shfaqet krejt tjetër, ia vlen që ky problem të analizohet pak më gjerësisht.
Ligji nr.10076, dt.12.02.2009 sanksionon Sigurimin e Detyrueshëm të Mbajtësve të Mjeteve për Përgjegjësinë Ndaj Palëve të Treta .
Për këtë është përpiluar dhe miratuar një Policë unike me cilësinë e një letre me vlerë të cilën duhet ta mbajë çdo automjet që qarkullon në rrugët e Republikës së Shqipërisë. Vlera e kësaj Police varion nga 11 mijë lekë për autoveturat deri në 40 mijë lekë për autobusët e shërbimit të udhëtarëve.
Zoti, fati dhe shteti, jo zotësia, puna dhe përkushtimi, çojnë çdo vit në xhepin e Kompanive të Sigurimeve shuma marramendëse parash, pa i luajtur të ndenjurat nga karrigia. Ligji i cituar më sipër parashikon, që çdo i dëmtuar, posedues i një fuqie motorike të shpërblehet, pavarësisht se gjendet fajtor apo jo në kohën e përplasjes. Këtu fillon loja shkatërruese e nervave.
Është përpiluar një procedurë e stërzgjatur veprimesh; deklaratash, fotografimesh, procesverbalesh e dëshmish, ku veprimi i policisë është evaziv dhe çuditërisht u mëshohet raporteve miqësore (kjo nuk ndodh kurrë ose fare rrallë në mjedisin shqiptar). Përfundimisht, në një përplasje të vogël, pa lëndime njerëzore; ai që ka shpatulla më të dobëta detyrohet ti paguajë cash të fortit aq sa ia cakton ai vlerën e dëmit. Ndërsa dëmin që i është shkaktuar automjetit të vet, për të cilin i ka paguar kompanisë së sigurimeve ai nuk e merr kurrë . Për të mos e absolutizuar kurrën , ai mund të marrë një pjesë të vogël të shumës, pasi të jetë sorollatur me muaj të tërë dhe të shpenzojë sërish disafishin e atyre që merr.
Pohimin e mësipërm e kam qindpërqind të vërtetuar në praktikën e Kompanisë Europiane në të cilën punoj si Inxhinier-Specialist Automjetesh. Kjo Kompani disponon dhjetëra automjete të reja, të marra me qera, për të cilat u paguan Kompanive të Sigurimeve edhe Policën e zakonshme, T.P.L., por edhe siguracionin special Kasko. Në rastet e karamboleve dhe të dëmtimeve të tjera, raportet me këto kompani janë tepër të komplikuara, nervagricëse, dhe kur kjo ndodh institucionalisht me një kompani që ka vënë të zotin e punës, merreni me mend se çmund të bëjë një fakir shofer që e ka zënë nata jashtë.
E kam theksuar edhe në një shkrim të mëparshëm për sigurinë rrugore, se bota e qytetëruar drejt së cilës jemi nisur të shkojmë ka modele ligjore të përsosura, me një zbatueshmëri praktike tepër të thjeshtë. Ngul këmbë se modeli amerikan është më i miri, për të cilin kam një histori personale dhe, në funksion të argumentit , po e paraqes shkurtimisht, pa kaluar në mërzi:
Më duhej të ndërprisja një rrugë kryesore për tu kthyer majtas. Pasi përdoruesit e rrugës kryesore u ndaluan dhe më dhanë të drejtë të kaloja, në korsinë e mesit, të kufizuar me vijë të verdhë , një zonjushe vjen me shpejtësi dhe përplaset fort me mua. Në çast dëgjoj duartrokitje dhe shoh të dilnin nga makinat e të vinin drejt nesh shumë drejtues mjetesh të ndaluar, të cilët na përqafonin duke thënë: -Lavdi Zotit! Shpëtuat për mrekulli! Për një moment e ndjeva veten komplet fajtor dhe kërkova të komunikoja diçka me vajzën e cila qante në makinën e saj dhe po i telefononte dikujt. Dy përdoruesit që më kishin dhënë të drejtë kalimi u afruan tek unë dhe më thanë të mos shqetësohesha se, ata do të dëshmonin vetë për atë çka panë, përpara oficerit polic. Në këtë kohë policët kishin mbërritur dhe pasi na uruan që në pamje të parë kishim shpëtuar pa pasoja, na pyetën se a kishim nevojë për ndihmë mjekësore dhe nëse jo, a ishim në gjendje të qëndronim diku, derisa të bënin ekzaminimet. Trafikun e zhbllokuan pa patur nevojë për ne. Pas më pak se një gjysëm ore na thanë se raportin përfundimtar do ta merrnim pas pesë ditësh pranë gjykatës së Distriktit. Na pyetën se, a ishim në gjendje të shkonim vetë ne shtëpi apo duhej të na shoqëronin dhe, a mund ti lëviznim vetë makinat, apo këtë punë ta bënte policia.
Pas pesë ditësh, kur u paraqita në gjykatë për të marrë raportin, u lumturova se nuk isha unë fajtori, por zonjusha që kishte shpërdoruar korsinë e qendrës,që në Amerikë shërben si korsi emergjence. Në shtëpi, në kutinë time postare gjej një zarf të dërguar nga Shoqëria e Sigurimeve në të cilin kishte një Çek Pagese prej pesëqind USD. Kjo përkonte me shumën vjetore të pagesës që kisha bërë unë për siguracionin e makinës. Mësova gjithashtu se zonjushës, e cila u përplas me mua, dhe dispononte një Ford të ri, ia zëvendësuan makinën me të njëjtën gjendje derisa Dealer-i ti riparonte makinën e saj.
Çfarë vështirë
