E Shtunë, 31 Tetor 2026

Korrupsioni, shteti dhe shqiptarët

GRID RROJI

Korrupsioni është një dukuri, e cila është e lidhur ngushtë me funksionimin e shtetit. Një shtet funksional dhe i konsoliduar ka shumë më tepër mjete për të luftuar dukuritë korruptive dhe për të minimizuar efektet negative të korrupsionit për shoqërinë.  Pra, një shtet i konsoliduar dhe legjitim është e vetmja rrugëdalje nga qerthulli korruptiv. Por, siç provojnë statistikat prej burimeve të brendshme e të jashtme, në gjendjen aktuale shteti shqiptar është strukturalisht tepër i dobët për të luftuar korrupsionin.
Akuzat e ndërsjella për korrupsion të palëve politike në Shqipëri tregojnë jo vetëm që korrupsioni mbetet problem themelor i demokracisë shqiptare, por edhe që zgjidhja e problemit mbetet në qendër të vëmendjes së qytetarëve. Me gjithë disa suksese të viteve të fundit, vazhdimësia e dukurive korruptive të qeverisjes si ndër qeveri të djathta ashtu edhe në të majta të çon në përfundimin se për sa i përket korrupsionit aktorët në sistem nuk dallohen dot nga ideologjia. Për rrjedhojë, duke qenë se sistemi favorizon korruptimin e pushtetarëve zgjidhja e problemit nuk mund të vijë nga vullnete individuale të udhëheqësve partiakë, apo duke ndërmarrë veprime me efekte të përkohshme.
Në skenën publike shqiptare janë shtjelluar disa rryma mendimi të cilat synojnë të shpjegojnë ndërthurjen midis korrupsionit dhe mosfunksionimit të shtetit.
Ndërkombëtaristët fajësojnë politikën shqiptare, e cila nuk është e emancipuar me vlerat demokratike perëndimore, por mbetet peng i mendësive klanore tipike të autokracisë. Sipas tyre, populli shqiptar nuk ka zhvilluar ndër vite mekanizma për të shmangur veprimet korruptive të zyrtarëve, por i pranon ato si të mirëqena. Rrjedhimisht, politika aktuale nuk lejon korrektimin e gjendjes dhe nga zgjidhje shndërrohet në problem. Zgjidhja, sipas kozmopolitëve, do të ishte përthithja e dokeve dhe mendësive perëndimore, të cilat do ta shndërronin mjedisin politik shqiptar nga një çerdhe të traditës lindore në një polis modern europian.
Neomarksistët e shpjegojnë ekzistencën e korrupsionit në Shqipëri me instalimin e liberizmit ekonomik pas rënies së diktaturës, gjë e cila, sipas tyre, ka kalbur dhe mbytur shtetin. Sipas neomarksistëve, sistemi i tanishëm ekonomik dhe politik favorizon pushtetarët në kurriz të popullit, i.e. pakicën kundër shumicës. Kontrolli që klasa politike ka mbi ekonominë krijon simbioza oligarkike midis biznesit dhe politikës, ndërsa mjedisi liberal ekonomik krijon premisat për shfrytëzimin e burimeve natyrore të bashkësisë nga individë të lidhur me pushtetin. Kësisoj, shtetit nuk i jepen instrumentet e duhura për tiu kundërvënë këtyre interesave dhe, për rrjedhojë, këto simbioza shkaktojnë thellimin e korrupsionit. Neomarksistët, në dallim nga ndërkombëtaristët nuk e shohin zgjidhjen te përqafimi i mënyrave europiane, por te ndarja më e drejtë e pushtetit sipas botëkuptimit të tyre klasor.
Përkundër këtyre qëndrimeve kritike, kemi qëndrimin e sistemistëve (apologjetëve të sistemit), të cilët besojnë se korrupsioni është një dukuri e pashmangshme në periudhën tranzitore ku gjendet Shqipëria. Ndër sistemistët përfshihet klasa politike, e cila mbështetet te favorizimi që i bën sistemi dhe elitat ekonomike përqark tyre, të cilat përfitojnë ekonomikisht nga lidhja me politikën. Ata përqafojnë idenë e zhvillimit gradual brenda mundësive të Shqipërisë, duke integruar organikisht ligjet dhe mënyrat e sjelljes perëndimore në një sistem politik të qëndrueshëm. Sukseset e përkohshme, si liberalizimi i vizave, përmirësimi periodik i situatës së krimit të organizuar, forcimi i pjesshëm i ekonomisë dhe disa vlerësime pozitive të ndërkombëtarëve janë, sipas shumicës aktuale, prova më e mirë e vlerës së kësaj qasjeje. Njëherazi, ndonëse ka qeverisur me të njëjtat metoda korruptive kur ishte në pushtet, opozita citon qeverisjen e keqe si arsyen e vetme të thellimit të dukurive korruptive. Pra, nuk ka dallime qasjesh ndërmjet pozitës dhe opozitës përsa i përket korrupsionit. Vlera e vetme për gradualistët është pragmatizmi, me anë të të cilit mund të dilet nga çdo situatë dhe të shpëtohet sistemi. Ndërsa konfliktet e përditshëm politikë pasojnë njëri-tjetrin, të gjitha palët mbeten të dedikuara ndaj sistemit, i cili u garanton privilegjet e pushtetit apo pritshmërinë e të ardhurit në pushtet.
Me gjithë përpjekjet për të shpjeguar korrupsionin, teoritë e parashtruara më lart çalojnë logjikisht dhe janë të mangëta. Në fakt, asnjëra nga to nuk identifikon dobësinë e shtetit si funksion i korrupsionit. Kozmopolitët presin që populli të ndërgjegjësohet e të përqafojë vlerat europiane, por nuk propozojnë një rrugë që të na çojë atje. Neomarksistët nuk shkojnë përtej analizës klasore të gjendjes dhe mbështeten në përsiatje teorike të tejkaluara nga rrjedha e historisë. Ndërsa sistemistët nuk mund të gjejnë arsye logjike për kokëfortësinë e korrupsionit përtej retorikës politike shterpë.
Më tej, të tria teoritë e cilësojnë integrimin europian si vlerë themelore për ardhmërinë e shqiptarëve. Mirëpo integrimi nuk është vlerë, është proces. Siç dëshmon edhe ecuria në tërësi e pakënaqshme teknike e procesit në këto njëzet vjet, politika shqiptare nuk ka mundur të prodhojë një identitet të qartë demokratik të shqiptarëve. Mungesa e këtij identiteti ka bërë që Shqipëria të vlerësohet si vend problematik, politikanët e të cilit nuk janë interlokutorë të besueshëm. Ndërkohë, akuzat e ndërsjella për korrupsion venitin besimin te politika dhe nuk i shërbejnë asnjë vizioni afatgjatë, përveç ruajtjes së privilegjeve të politikës aktuale. Pra, shqiptarët nuk mund ta sigurojnë integrimin pa krijuar më parë një identitet të vetin demokratik, i cili të përfaqësojë vlerat e tyre të qeverisjes.
Por, problemi kryesor i qasjeve të mësipërme është, në gjykimin tim, mungesa e trajtimit të karakterit kombëtar që duhet të ketë shteti. Shqiptarët nuk mund të kenë arsye tjetër për të ekzistuar si bashkësi përpos ndërtimit të një shteti-komb legjitim e të qëndrueshëm, i cili të garantojë lirinë, mbarëvajtjen e sipërmarrjes së lirë dhe të drejtat individuale të çdo qytetari. Sipas logjikës historike, çdo alternativë tjetër është logjikisht e paqëndrueshme dhe kërcënon mbijetesën e kombit shqiptar. Arsyeja e shqiptarëve për të bërë shtet funksional nuk mund të jetë integrimi me Europën, sado që në aspektin formal ai mbetet objektiv i dëshirueshëm. Shqiptarëve u duhet të krijojnë një shtet, i cili tu përshtatet vlerave të shqiptarëve, zakoneve dhe mënyrës së tyre të jetesës. Pra, integrimi është pasojë e konsolidimit të një shteti të qëndrueshëm, e jo anasjelltas.
Shteti është mishërimi i historisë, ligjeve, kodeve morale, praktikave dhe traditës së një kombi. Si rrjedhojë, për të qenë legjitim, shteti shqiptar duhet të mishërojë atë çka i bën shqiptarët shqiptarë. Konkretisht, shteti shqiptar duhet të reflektojë lirinë si vlerë themelore të shqiptarëve, por edhe trashëgiminë morale dhe politike të historisë së tyre. Kështu, shqiptarët nuk mund të ndërtojnë shtet solid pa dënuar si shoqëri krimet e komunizmit, pa ndërtuar një bashkësi politike të qëndrueshme demokratike, e cila të përfaqësojë interesat kombëtare, si dhe pa pastruar politikën nga dominimi autokratik i udhëheqësve partiakë. Më tej shqiptarët nuk mund të integrohen realisht pa rizbuluar vlera të civilizimit të tyre si liria, besa, ndershmëria dhe atdhedashuria, të cilat përqeshen nga realiteti politik aktual. Sistemi i tanishëm, përkundrazi, vlerëson pragmatizmin e pacipë, turbullirën ideologjike dhe mungesën e plotë të konceptit të interesit kombëtar. Sistemi i sotëm ka prodhuar politikanin kallp, skllav të interesave të ngushta ekonomike (shpeshherë aq meskine sa rroga e deputetit), i cili mjaftohet duke ngritur dorën apo duke folur sa herë i kërkohet nga udhëheqja. Ky soj po

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›