E Shtunë, 31 Tetor 2026

Nik Xhelilaj, “Shooting Star 2011”

SHKRUAN: Aida Tuci 07-02-2011 10:39

Në tapetin e kuq në sheshin “Marlen Ditrich”, në ediconin e 61-të të Festivalit të Filmit në Berlin, Shqipëria do të zërë një pjesë shumë të rëndësishme. Në fakt, është hera e parë që në një festival kaq prestigjioz bëhen disa shqiptarë bashkë. Sigurisht një nga sukseset e kinematografisë shqiptare ishte padyshim pjesëmarrja për herë të parë në një nga seksionet e rëndësishme të këtij festivali e filmit “Amnistia”, të Bujar Alimanit. Ky i fundit erdhi nga Athina në Tiranë, për të reklamuar suksesin e një filmi shqiptar, që arrin të jetë pjesë e Berlinales. E shqip do të flasë edhe programi “Shooting Star 2011”, e organizuar nga European Film Promotion, që ka marrë përsipër të promovojë 10 aktorët më të mirë të rinj, të shpallur pak kohë më parë nga ky union, ku mes tyre është dhe aktori shqiptar Nik Xhelilaj. Të 10 artistët që do të lançohen si yjet e vitit 2011 do të prezantohen në edicionin e 61-të të Berlinales, në edicionin e 14-të të Shooting Star. Të 10 artistët do të marrin pjesë në një seri eventesh promocionale, ku do të prezantohen përpara shtypit ndërkombëtarë dhe do t’u krijohet mundësia që të vendosin kontakte me profesionistët e industrisë kinematografike. Për 10 ditët e Berlinales, ata do të prezantohen përmes konferencave për shtyp dhe intervistave për edicionin e 14-të të “Shooting Star 2011”. Dita kur në Berlinale do të prezantohet dhe promovohet aktori shqiptar Nik Xhelilaj, është 14 shkurti. Në faqen zyrtare të Berlinales prezantimi për aktorin shqiptar Nik Xhelilaj, që qëndron në krye të listës, është: “Shumë i vlerësuar në vendin e origjinës për interpretimin e Stanley Kowalsi në komedinë teatrale të Tennessee William, “Tramvaji me emrin dëshirë”, Nik Xhelilaj u shfaq për herë të parë në ekranin e kinemasë në vitin 2008 në filmin “Trishtimi i Zonjës Shnajder”, një film i regjisorëve Pirro dhe Eno Milkani e më pas në filmin “Gjallë”, të Artan Minarollit. Por me filmin dramatik mbi emigracionin, “Shqiptari”, i regjisorit gjerman Johanes Naber, Nik Xhelilaj, si protagonist, arriti të jetë i pari aktor shqiptar që arriti suksesin të jetë pjesë e edicionit “Shooting Star”. Sipas jurisë që e vlerësoi duke e shpallur në listën e 10 aktorëve të rinj më të mirë të Europës, Nil Xhelilaj me interpretimin e tij në filmin “Shqiptari” është vlerësuar për ndjeshmërinë dhe intensitetin me të cilën ai përcjell imazhin e një emigranti klandestin, duke e interpretuar këtë rol me një kompleksitet të mahnitshëm. Një zbulim i freskët dhe premtues”- përfundon komenti në faqen zyrtare të Berlinales për aktorin shqiptar. Por ndërkohë në Festivalin e Berlinit në seksionet zyrtare të tij marrin pjesë edhe të tjerë shqiptarë. “The Forgiveness of Blood” (Falja e gjakut), film i regjisorit amerikan Joshua Marston, i cili rrëfen një histori gjakmarrjeje shqiptare, është futur në mesin e 16 filmave të nominuar për çmimin kryesor në edicionin e 61-të të Festivalit prestigjioz të filmit në Berlin. Filmi me skenar të shqiptarit nga Kosova, Andamion Murtaj, shtjellon temën e gjakmarrjes në një zonë veriore dhe është një bashkëprodhim shqiptaro-amerikan. Rolet kryesore në film i luajnë pesë aktorë kosovarë. Ilire Vinca - Çelaj, Luan Jaha, Veton Osmani, Selman Lokaj e Çun Lajçi, të cilët priten të shkelin qilimin e kuq të festivalit, i cili nis më 10 shkurt. Gjithashtu, në “Kampin e talenteve” janë përzgjedhur dhe dy regjisorë të rinj shqiptarë, që i përkasin shkollës së filmit si Gentian Koçi dhe Kolo.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›