“Vdekja dhe Vasha” flet për gratë e Kosovës
“Vdekja dhe Vasha”, një dramë psikologjike e autorit kilian Ariel Dorfman, e cila është punuar në shumë teatro nëpër botë, dhe ekranizuar edhe nga regjisori i njohur Roman Polanski, në vitin 1994, është sjellë mbrëmë për publikun kryeqytetas nga regjisori kosovar Fatos Berisha. Në versionin shqiptar të “Vdekja dhe Vasha” aktorët të mirënjohur kosovarë Yllka Gashi, Shkumbin Istrefi e Luan Jaha interpretonin në një skenë ku skenografinë e përbënte thjesht një tavolinë, dy karrige dhe një kanape. “Në versionin tonë të ‘Vdekja dhe Vasha’ shfaqja është kamertale dhe publiku është i vendosur në skenë dhe duke qenë kështu kërkohet më shumë lojë natyrale, gjë që për aktorin është akoma më e vështirë, pasi publikun e ke shumë afër”- thotë protagonistja e kësaj vepre, Yllka Gashi, që mban dhe barrën kryesore, me rolin e gruas së quajtur Paulina Eskobar, e cila kujton si në deja-vu të kaluarën në burgjet e diktaturës së Pinoçetit. Paulinës, 15 vjet më vonë, i trazohet qetësia kur një natë në shtëpinë e saj troket një i huaj. Ishte pikërisht ky i huaj që i kujtonte të shkuarën. “Mesazhi që përcillte drama e kësaj gruaje ishte padyshim nevoja e viktimave për t’u rrëfyer dhe për ta vënë drejtësinë në vend, prandaj kjo vepër i ‘flet’ edhe të gjitha atyre grave kosovare që jetuan me luftën në Kosovë”- thotë Gashi. Ndërsa regjisori Fatos Berisha është drejtor artistik dhe bashkëthemelues i Prishtina International Film Festival. Berisha ka punuar në shumë projekte në teatër, televizion dhe film, duke përfshirë edhe regjisurën e 260 episodeve të serialit të njohur kosovar “Familja Moderne”, për Radio Televizionin e Kosovës. Gjatë luftës së Kosovës, ka qenë bashkëthemelues i “Teatri Dodona në Ekzil” dhe bëri regjinë e shfaqjes për fëmijë, ku luajti edhe aktorja me famë botërore, fituesja e çmimit “Oscar”, Vanessa Redgrave, shfaqje kjo që u dha në kampet e refugjatëve kosovarë në Maqedoni. Ai është bashkëthemelues i Teatrit Urban Prishtinë, dhe shfaqja e fundit e tij “Vdekja dhe Vasha” fitoi në disa festivale në Ballkan. Shfaqja është kamertale dhe publiku është i vendosur në skenë. Tema e kësaj shfaqjeje në qendër ka një grua me një të kaluar shumë të dhimbshme, e cila jeton mes të kaluarës dhe të tashmes . “Për mua si regjisor ka qenë një ëndërr për ta vënë në skenën e Teatrit këtë vepër, që kur kam parë filmin e Roman Polanskit, në fund të viteve '80, atëherë kur Kosova ishte pjesë e Jugosllavisë. Një ëndërr që e ruajta për gati 20 vjet, deri ditën e premierës në Prishtinë, në vitin 2009. "Vdekja dhe vasha" është edhe për Kosovën, ku ne akoma ballafaqohemi me pasojat e luftës.”- u shpreh regjisori i shfaqjes, Fatos Berisha.