E Diel, 1 Nëntor 2026

Kapet në kufi emigranti me 15 kg marijuanë

SHKRUAN: Bledar Shehu 07-02-2011 10:22

Kakavijë- Një emigrant shqiptar nga Fieri, i cili punonte prej vitesh në Greqi, është ndaluar nga blutë e kufirit në Kakavijë, ndërsa po tentonte të transportonte në drejtim të shtetit fqinjë një sasi droge. Sipas burimeve zyrtare në Drejtorinë Rajonale të Kufirit në Gjirokastër, goditja e këtij rasti të trafikut të drogës me destinacion Greqinë është bërë gjatë operacionit të koduar “Pengesa”. Ka qenë ora 14.30 e së dielës kur automjeti tip Seat, me targa greke KNE 1155, i cili drejtohej nga Edmond Golloshi, 28 vjeç, nga Fieri, dhe udhëtonte për në Greqi, është paraqitur në Stacionin Kufitar të Kakavijës për t’iu nënshtruar kontrollit rutinë. Fillimisht drejtuesi i mjetit i është drejtuar sportelit të kontrollit të dokumenteve për të marrë vulat e daljes nga Greqia. Ndërsa nuk mohojnë faktin se kishin informacione paraprake se me këtë mjet mund të transportohej lëndë narkotike, efektivat e kufirit të Kakavijës thonë se makina i është nënshtruar një kontrolli të imtësishëm. “Pasi komunikuam me shoferin, i kërkuam atij që të hapte makinën, pasi do ta kontrollonim imtësisht”, thonë burime në policinë e Kakavijës. Nga ana e tij drejtuesi i mjetit nuk ka shfaqur shenja kundërshtie, ndërkohë që disa efektiva policie kanë nisur kontrollin e brendshëm të makinës. Madje në ndihmë të tyre ata kanë përdorur edhe qenin antidrogë. Gjatë kontrollit efektivat blu kanë konstatuar se në dy gomat rezervë që ndodheshin në bagazhin e mjetit kishte një sasi lënde narkotike të paketuar me mbështjellëse plastmasi. Gjithashtu, gjatë vijimit të kontrollit policia ka konstatuar edhe sasi droge në dy gomat e pasme të mjetit. Pas përfundimit të kontrollit, rezultoi se në makinë në total transportoheshin rreth 15 kilogramë lëndë narkotike të llojit marijuanë. Në këtë situatë drejtuesi i mjetit është shoqëruar për në policinë lokale dhe i është nënshtruar hetimeve. Gjatë marrjes në pyetje ai ka mohuar faktin që të kishte dijeni në lidhje me sasinë e drogës të gjetur në automjetin e tij. Sipas grupit hetimor, ai ishte nisur nga Fieri dhe dyshohet se sasia e drogës kishte si destinacion qytetin e Selanikut, ku shoferi i mjetit jeton prej vitesh si emigrant. Pas hetimeve paraprake, policia ka bërë ndalimin e E. Golloshit, për veprën penale “trafik ndërkombëtar të lëndëve narkotike”. Vazhdojnë hetimet për identifikimin dhe ndëshkimin ligjor të personave të tjerë që dyshohet se janë përfshirë në këtë rast të trafikut të drogës me destinacion Greqinë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›