Nikçi sfidon Shaqirin e Xhakën

Adrian Nikçi e ka nisur mbarë aventurën në Bundesligë. Ai është shndërruar në shpëtimtar te Hannoverit qysh në ndeshjen e parë zyrtare me skuadrën e re, e cila barazoi në shtëpi përballë Schalkes 2:2.
Sulmuesi kosovar u inkuadrua në minutën e 77-të dhe pas vetëm tre minutash e shënoi golin e dytë të vendësve në barazimin 2:2. Pas nismës së mbarë, Nikçi ka një objektiv.
Ai synon të bëhet më i mirë sesa dy bashkëkombësit e tij Gjerdan Shaqiri e Granit Xhaka, të cilët gjatë kësaj vere nga klubi zviceran Basel u transferuan në Bayern Munich, respektivisht Monchengladbach
“Unë jam i lumtur që do të takohem në Bundesligë përsëri me Gjerdan Shaqirin dhe Granit Xhakën. Synimi im është që të jem më i mirë se ata të dy”, ka thënë Nikçi në një intervistë për të përditshmen gjermane Bild.
22 vjeçari gjatë kësaj vere për 600 mijë euro është transferuar nga klubit zviceran Zurich te skuadra gjermane Hannover. Kosovari me pasaportë zvicerane tregon se te klubi nga Bundesliga ka ardhur për të luajtur.
“Unë kam ardhur këtu për të luajtur. Bundesliga është një ëndërr për zviceranët. Dua të kem sukses dhe të përmirësohem pas çdo ndeshjeje. Pas një përgatitjeje jo të mirë para sezonit, shkaku i lëndimit nuk e kam besuar se do të kem fillim të tillë”, theksoi ai.
Sipas Bild, një ditë pas debutimit që ishte si në ëndërr, Nikçi ka kaluar një ditë mjaft të qetë me vëllanë e vogël Kastriotin dhe nënën Nergjivanin. Ndërsa kjo e fundit ka gatuar ushqimin e preferuar të Adrianit – një fli.
Përveç Nikçit, Shaqirit e Xhakës në elitën e futbollit gjerman ka debutuar edhe një futbollist tjetër kosovar. Ai është sulmuesi i ri Ilir Azemi, i cili aktivizohet te skuadra e Greuther Furthit, ku luan edhe mbrojtësi Mërgim Mavraj.