Nikolic: Të ndryshohet formulimi për integritetin territorial të Kosovës

“Me një gjë të tillë, BE-ja do të tregonte qasjen e saj neutrale ndaj statusit të Kosovës”, ka thënë Nikolic në Beograd.
Kundër një formulimi të tillë është shprehur sot edhe kryeministri Ivica Daçiq, pas takimit me komisionarin Fuele.
“Për ne kërkesa për një përmirësim përmbajtjesor në marrëdhëniet ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës nuk është problematike. Ajo çka na shqetëson neve është deklarata ku përmendet integriteti territorial i Kosovës, e cila mund të çojë në konkludimin se tani ka disa kushte të reja. Kjo është një gjë e papranueshme për ne. Nëse kjo shfaqet si kusht i Komisionit Evropian apo Këshillit Evropian, atëherë askush në Serbi nuk do ta pranojë një kusht të tillë”, ka thënë Daçiq.
Ndërkohë diplomati evropian ka thënë se formulimi për integritetin territorial nuk paragjykon statusin dhe se është një fakt që ka theksuar Grupi i Kontaktit qysh në negociatat për statusin e Kosovës në vitin 2005.
Komisioni Evropian ka publikuar të enjten raportin, ku i kërkon Serbisë të respektojë integritetit territorial të Kosovës. Autoritetet serbe kanë thënë se një gjë e tillë mund të kërcënojë dialogun me palën kosovare.
Pavarësisht kësaj, komisionari Fule ka thënë se formulimi për integritetin territorial të Kosovës do të mbetet në raportin e KE-së.