Rikthimi i turpshëm

Kur postuesit e ndryshëm filluan që në internet të bënin identifikimin e regjisorit të filmit “Çiltërsia Myslimane”, i cili nxiti reagime të shumta të dhunshme në botën arabe, doli se regjisori deri atëherë i panjohur, 65-vjeçari, Alan Roberts, në fakt, ishte një regjisor i dështuar që nuk kishte bërë asnjë film gjatë 18 viteve të fundit.
Mirëpo, nga një analizë e shpejtë e veprimtarisë së tij filmike rezultoi se, përveç titujve si “Karate Cop” (Polici Karateist) dhe “Young Lady Chatterly II” (Zonja e re Chatterly II), Alan Roberts kishte bërë edhe regjinë e njërit prej filmave më të preferuar pornografik të viteve të 70’a, respektivisht, të një filmi të çmendur seksplorues, krejtësisht të pazakontë dhe çuditërisht provokues, që titullohet "Panorama Blue".
Sipas Salon, filmi "Panorama Blue" vetveten e cilëson si "filmi më fuqishëm në botë të rritur". Ky, mbase, mund të jetë një pretendim i pacipë, megjithëse është e qartë se Alan Roberts u përpoq që, gjatë drejtimit të tij, të jepte maksimumin që filmi njëmend të bëhej i tillë.
"Kurrë më parë industria filmike nuk prodhoi ndonjë film për të rritur në një hapësirë kaq të madhe, me një liri kaq të shprehur veprimi dhe me kaq stil”, nënvizohet pothuajse me habi në sekuencën reklamuese të filmit.
Në kohën kur Alan Roberts bëri regjinë e këtij filmi, ai mund edhe të mos ketë menduar fare se shumë shpejt do të tretej diku brenda historisë filmike, edhe pse një pjesë e vëmendjes së qarqeve të asokohshme filmike sigurisht që ishte marrë edhe me këtë krijim të tij.
Rikthimi i turpshëm i Roberts
Megjithëse një pjesë tmerrësisht e madhe që ndërlidhet me produksionin misterioz të filmit "Çiltërsia e Myslimanëve" vazhdon të mbetet e paqartë, dhe përkundër faktit që, pas një mori fatwash që bëjnë thirrje për vrasjen e tij, Roberts aktualisht po fshihet diku, po spekulohet se – njësoj sikurse edhe pjesa tjetër e ekipit filmik – ai nuk ishte në njohuri për natyrën e vërtetë të temës së filmit në të cilin ishte i përfshirë, ngase edhe ai ishte manipuluar nga producenti “në hije”, Nakoula Basseley Nakoula, i cili e kishte bindur se po bënte filmin me titull “Desert Warriors” (Luftëtarët e Shkretëtirës) – por që ndërkohë ishte ri-dubluar dhe redaktuar, për t’u shndërruar në filmin që ofendon fenë Islame.
Komentet lidhur me regjisorin Roberts, të bëra nga ekipi filmik dhe nga kolegët e tij, duket se e mbrojnë këtë pretendim. Kjo për shkakun se, krijimi i filmit nga një regjisor i dështuar - i cili më pak duket si një ideolog sy-egër që synon të nxis një kaos ndërfetar, e më shumë si një enëlarës industrial, që mezi pret që sërish të ulet prapa kamerës – ndoshta, dhe sërish, vetëm ndoshta, do mund ta rikthente përsëri emrin e tij në skenën e filmit.
E gjithë kjo, mbase është një ironi e vlefshme për ndonjë film të P.T. Anderson, sepse Roberts përfundon me plotësimin e dëshirës për rikthim prapa, por për arsye krejt të gabuara.