E Shtunë, 31 Tetor 2026

Nikollë Lesi: Parlamentin do ta turbulloj përsëri

NIkolle Lesi Ndodhej ne Lezhe. Ai u kerkoi lezhjaneve ta votojne sepse gjatë 12 viteve që ka qenë deputet, ka treguar se ka mbrojtur gjithnjë interesat e qytetarëve, por per hir te ketyre interesave ka turbulluar edhe parlamentin 

TIRANE-Nikollë Lesi, kryetari i Lidhjes Demokristiane u ka kërkuar banorëve të fshatit Spiten të Qarkut të Lezhës, që t’i japin votën, duke nënvizuar se ai gjatë 12 viteve që ka qenë deputet, ka treguar se ka mbrojtur gjithnjë interesat e qytetarëve. “Një kandidat për deputet në qarkun tonë që ka vjedhur tendera e nuk ka bërë rrugë, që ka lidhje me krimin, po shpërndan miell falas nëpër fshatra, ai do të përgjigjet pas 28 qershorit para drejtësisë, pasi e kërkon mandatin e deputetit vetëm për të mbuluar aferat korruptive, e jo për interes të njerëzve të thjeshtë”, - u shpreh Lesi. Ai theksoi ndër të tjera se “krimi ekonomik i policisë së Shtetit po e pret, që pas zgjedhjeve t’i vërë prangat”. “Unë nuk jam si kandidati i miellit, por jam deputet që tash 12 vite kam treguar se di të bëj duele të forta politike në parlament e në media ndaj kujtdo që ka pushtet dhe e shfrytëzon atë. Kam dhënë prova që parlamentin e turbulloj, kur flitet se duhet të mbrohen interesat e njerëzve të thjeshtë”, - u shpreh Lesi. Më pas Nikollë Lesi zhvilloi takime në qytetin e Lezhës dhe në komunën e Shënkollit, ku premtoi se do të jetë deputet që do të kërkojë nga çdo qeveri mbrojtjen e interesave të popullit.

(d.b/BalkanWeb)



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›