E Shtunë, 31 Tetor 2026

Nis "Apollon 2009"

Edicioni i tetë i Festivali të aktrimit "Apollon". Marrin pjesë tetë trupa nga Shqipëria, Kosova, Rumania, Maqedonia dhe Italia


Aktorët të të gjitha vendeve shqipfolëse edhe këtë vit ballafaqohen në festivalin mbarëkombëtar të aktrimit "Apollon". Edicioni i tetë i këtij aktiviteti nis nesër, 27 prill, dhe do të vazhdojë deri më 2 maj.

Gjatë kësaj jave në skenën e teatrit "Bylis" të Fierit ngjiten tetë trupa teatrore: Teatri i Fierit me pjesën "Si rruar qethur", Teatri Kombëtar me "Filumena Marturano", teatri i Mantovës me "Virgjili dhe dashuria", teatri i Prishtinës me "Dejziland", teatri rumun "Alda Vita" me "Lady Capullet", "Small Dramatic Theatre" nga Maqedonia me pjesën "Histori të pista", teatri i Vlorës "Petro Marko" me "Ditari i një të çmenduri" si dhe Teatri i Babës, Kosovë me pjesën "Sonte jam vetëm".


Nata e parë hapet të hënën në orën 19:00 në teatrin "Bylis" nga trupa e Fierit, me komedinë "Si rruar qethur" të regjisorit Guri Koço. Më pas gjatë ditëve në vijim në këtë orë prezantohen edhe trupat e tjera teatrore. Drejtori i festivalit Klajdi Marku thotë se gjatë këtij "Apollon-i" nuk do të zërë vend vetëm në "Bylis", por do të zhvendoset edhe në ambiente të hapura.


Juria përbëhet nga tre anëtarë. Deri tani kanë konfirmuar praninë e tyre aktorja Ema Andrea dhe regjisori austriak Chris Pappke. Ky i fundit aktualisht është i angazhuar edhe në një projekt me Teatrin Kombëtar.

Çmimet që kjo juri do të akordojë janë "Apolloni i Artë" për aktorin dhe aktoren më të mirë në një rol kryesor si dhe "Apolloni i Argjendtë" për aktorin dhe aktoren më të mirë në një rol dytësor.

Në edicionin e kaluar të festivalit u cilësuan si aktorët më të mirë protagonistë Yllka Mujo dhe Timo Flloko, në veprën "Pamje nga ura" të regjisorit Albert Minga, ndërsa "Apolloni i Argjendtë" u nda mes aktoreve Loredana Gjeçi dhe Sanie Hoti.

Shoë për librin


Xhovalin Delia prezantoi në Akademinë e Arteve romanin e dytë "God Bless America". Në skenën e "Black Box" ai kishte inskenuar një detaj simbolik nga qyteti i Nju Jorkut, pikërisht kullat binjake para 11 Shtatorit. Kaq mjaftonte për të treguar se romani është i ndërtuar mbi këtë bosht. Prezantimi i librit ishte shumë ndryshe nga prezantimet e shkrimtarëve të tjerë.

Një paradë koreografish, tingujsh amerikanë, kullat e inskenuara projektoheshin njëherazi filmi "Mundimet e Krishtit" dhe sekuenca të jetës amerikane. Në këtë prezantim të librit Delia, nuk ka lejuar askënd të pyesë mbi punën e tij.

Ai kishte marrë përsipër të tregonte vetë se çfarë ka shkruar dhe publiku ishte i detyruar të pranonte këtë zgjedhje. Delia kishte organizuar edhe një intervistë të vogël me shkrimtarin Gazmend Krasniqi, të cilin sigurisht që e pyeti për "God Bless America". Një prezantim që vetë Delia e cilësoi si një talk shoë të vogël.



Çfarë përfitojnë artistët nga kontrata kolektive


Ministria e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve dhe Sindikata e Pavarur të Artistëve të Shqipërisë nënshkruan Kontratën Kolektive të Punës.

Ministri Ardjan Turku dhe Presidentit i sindikatës Reshat Ibrahimi nënshkruan këtë kontratë që rregullon marrëdhëniet e punës mes punëdhënësit dhe punëmarrësit në fushën e artit dhe kulturës në Republikën e Shqipërisë. Kohëzgjatja e kësaj kontrate është tre vjet.

Gjatë këtij takimi Ibrahimi i riparaqiti ministrit projekt statusin e Artistit që ka dorëzuar në MTKRS, në muajin mars.

Nga ky status artistët përfitojnë: pension shtesë mbi pensionin e plotë të pleqërisë; pension shtesë invaliditeti; pension shtesë familjar kur për shkak të punës humbin jetën; pension shtesë në rast vdekje; përfitime, shtesë mbi pagë, kompensime; masa e pensionit të plotë të pleqërisë sipas viteve të punës dhe vështirësisë së disa gjinive të artit; trajtim të veçantë për artistët me tituj dhe dekorata duke i njëhësuar dhe vlerësuar ato me grada shkencore; shtesë page për artistët pensionistë ku pensioni minimal të jetë 22 000 lek.

 

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›