Teatri të mos vijë era kohë e shkuar
Mircea Cornisteanu, sekretari i përgjithshëm i Qendrës Evropiane të Teatrit, i hedh një sy gjendjes së Teatrit Kombëtar i cili pritet të bëhet anëtar i kësaj strukture evropiane në muajin maj. Ja disa sugjerime
Mircea Cornistanu bën si fillm prezantim e vetes dhe vendit ku punon. Është regjisor dhe drejtues në një nga dy teatrot e rëndësishëm shtetërorë rumun me qendër në Krajovë, teatër i themeluar qysh më 1850. Mban emrin e një poeti të shquar rumun (i përkthyer dhe në shqipe) Marin Sorescu, ka një revistë të vetën, "Spektator" quhet, e cila paraqet aktivitetin e teatrit brenda dhe jashtë vendit, për publikun e një qyteti katërqind mijë banorësh.
Në këto njëzet vitet e fundit trupa e "Sorescut" me një staf 150 vetë, me buxhet shtetëror 1 milionë euro, ka bërë afro 150 turne nëpër botë, në dimër dhe në verë, me autorë klasikë, bashkëkohorë, dhe sigurisht edhe me dramaturgjinë e autorëve kombëtare. Ja për shembull këto kohë, ky teatër ka vënë në skenë një vepër të Viktor Eftimiut.
Tri herë pjesëmarrëse në Festivalin e Avinjonit (më i rëndësishmi festival i arteve skenike në Francë), vlerësuar me çmime në Monreal, në Indi, Afrikë e Jugut, Japoni etj. Cornisteanu thotë: "Ne na ftojnë në festivale dhe nuk harxhojmë para për të qenë të ftuar."
Kush e njeh traditën dhe përgjigjen në kohë që teatri rumun i ka dhënë zhvillimeve të reja të teatrit, edhe dyfishin e këtyre të dhënave do kishte për ta besuar.
Cornisteanu ndodhet në Tiranë me statusin e Sekretarit të Përgjithshëm të Qendrës Evropiane të Teatrit.
E meqë Teatri ynë Kombëtar më 21-23 maj do të bëhet anëtar i këtij unioni ku marrin pjesë 21 teatro nga Evropa, kryesisht Lindore, Cornisteanu ka ardhur për një vëzhgim fare burokratik. Ai të premten dhe të shtunën dy produksione të fundit të TK, "Trojanet" dhe "Filumena Marturano". Për të parën thotë se nuk ishte kryevepër, "kryeveprat janë të rralla".
Spektakli iu duk profesional dhe veçon sidomos lojën e aktoreve, koreografinë, por jo skenografinë. "Kjo është e diskutueshme. Nëse teatri juaj kombëtar duhet të dalë disi nga mbyllja dhe izolimi që e kanë teatrot që mbahen me fonde shtetërore, së paku duhet të përpiqet për regjisorë të mirë."
Sepse regjisori sipas Cornisteanut është ai që sjell idetë, ai që i zbaton së bashku me skenografin. Aktorët luajnë, aty janë ata. "Teatri ka nevojë për regjisorë të mirë dhe të mirët kushtojnë, së paku 10 mijë euro. Por ka për të qenë garanci për cilësinë e shfaqjes. Ajo që ka rëndësi është pikërisht cilësia."
Në këtë aspekt, Teatri Kombëtar me t'u anëtarësuar në këtë bashkësi evropiane, marrëveshja e bashkëpunimit nënshkruhet në Drezden, ndoshta do të dijë të shfrytëzojë shanset për të krijuar lidhje me artistë që i duhen skenës, regjisorë në radhë të parë, gjë për të cilën skena shqiptare vuan mjaft. "Do të ketë mundësi të krahasojë veten, mos të vdesë brenda mureve të vetes", shton Cornisteanu. Përndryshe, nënkupton Cornisteanu, ndodh që teatri t'i flasë një publiku të mijëvjeçarit të tretë me një gjuhë të vjetëruar, aq sa të vjen të mbyllësh sytë dhe të fshehësh kokën.
Sepse në një vend ku nëpërmjet artit mendja e njeriut mund zhvendoset qindra vjet prapa në kohë, qëllimi është për të kuptuar të sotmen dhe mbase të ardhmen e gjendjes njerëzore.
Cornisteanu i ka përcjellë dje drejtorit të Teatrit Kombëtar, Kristaq Skrami edhe përshëndetjet e Jean-Claude Berruti-t, drejtori i Qendrës Evropiane të Teatrit me seli në Sent Etjen të Francës. Bashkë me mesazhin e mirëseardhjes në familjen e teatroreve, Sekretari i Përgjithshëm i saj, komenton me buzë në gaz se Evropa ka nevojë për teatrot nacionalë të vendeve të Lindjes. "Kultura dhe tradita e kësaj pjese të Evropës është e rëndësishme për Perëndimin.
Për Shqipërinë hedhja e këtij hapi është me vlerë. Para se vendi të hyjë zyrtarisht në Evropën e Bashkuar, le të hyjë me Teatrin Kombëtar."
Në Qendrën Evropiane e Teatrit bëjnë pjesë teatro publikë si "Piccolo Teatro di Milano", (Itali), "Düsseldorfer Schauspielhaus" (Gjermani), "Royal Shakespeare Company" (Britani e Madhe), "Teatro di Roma" (Itali), "Theatre National de Strasbourg" (Francë), "Moscoë Theatre" (Rusi) etj.