E Diel, 1 Nëntor 2026

Biznesi: Qeveria të na krijojë lehtësira fiskale

"Ne nuk mund të jemi më të qetë kur shohim se bankat janë gjithnjë e më dorështrënguara në kreditimin e biznesit"

Bizneset i bëjnë thirrje edhe një herë qeverisë që të bëjë të mundur heqjen e sistemit të pagave të referencës

TIRANË- Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë i kërkon qeverisë, që në kushtet kur ka një mungesë likuiditeti në treg, t'i krijojë bizneseve lehtesira të tjera fiskale për t'i bërë ballë efekteve negative të krizës ekonomike.

Nëpërmjet një konference për shtyp, kryetari i dhomës së tregtisë dhe industrisë, Gjok Uldedaj, shprehu pasigurinë që ndjen biznesi në këto kohë paqartësish financiare dhe i kërkoi Këshillit të Ministrave organizimin e një konference të përbashkët qeveri-biznes me qëllim gjetjen e rrugëve të duhura për të shmangur ndikimet e krizës ekonomike globale ne vendin tonë.

"Ne nuk mund të jemi më të qetë kur shohim se bankat janë gjithnjë e më dorështrënguara në kreditimin e biznesit, kur tregut ka filluar t'i mungojë likuiditeti, apo kur dërgesat e emigrantëve që janë burim konsumi dhe investimi kryesisht për biznesin e vogël, po bien.

Është për tu shqetësuar kur shohim se fuqia blerëse është dobësuar apo kur tregjet e huaja kanë ulur kërkesën për produktet tona të eksportit, ku më të goditurit për momentin janë fasonistët",- u shpreh Uldedaj duke shtuar se, Dhoma e Tregtise ka përgatitur një paketë të plotë antikrizë që ka në thelb kurimin e simptomave të krizës ekonomike dhe mbrojtjen e nivelit të punësimit dhe fuqisë blerëse për një periudhë afat-shkurtër. Sipas Uldedajt, këto kushte ku ndodhet tregu tani, ku vërehet një ulje e likuiditeti dhe të kërkesës për mallra, janë fasonistët ata që përballen me pasojat më të rënda.


Edhe njëherë, kryefjala e kërkesave të biznesit ka qënë heqja e sistemit të pagave të referencës,për sektorin e ndërtimit, atë të prodhimit dhe për biznesin e vogël. Kjo taksë është kundërshtuar vazhdimisht nga bizneset, të cilët e kanë cilësuar atë si një masë frenuese që qeveria ka marrë ndaj tyre. Sipas tyre, kjo masë takse në shumicën e rasteve është më e lartë se sa paga që paguhen punonjesit.

Madje nga këta të fundit pretendohet se sistemi i pagave të referencave, është bërë shkak edhe për konfliket midis punëdhënësve dhe punonjësve pasi, duke marrë si të mirëqenë pagimin e siguracionit të sanksionuar nga referencat, këta të fundit pretendonin qe nuk merrnin rrogën reale.


Duke u fokusuar tek Tatimi mbi vlerën e shtuar, bizneset i kanë kërkuar qeverisë uljen apo në disa raste edhe heqjen e kësaj takse për importimin e makinerive të ndryshme.

"Ne kërkojme heqjen e TVSH-së për importin e makinerive prodhuese dhe atyre të mekanikës bujqësore dhe pagimin në rastet kur këto makineri rieksportohen, uljen e saj për importin e makinerive për përdorim në industrinë e ndërtimit.

Vlera e kësaj TVSH-je të paguhet me këste të zgjatura",- u shpreh Uldedaj. Kërkesat e Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë bëhen disa ditë, pasi parlamenti votoi disa ndryshime në ligjin për taksat vendore, ku sipas kryeministrit Berisha, favorizonin biznesin e vogël.
Kërkesat e biznesit


-Heqja e sistemit të pagave të referencës për sektorët e ndërtimit, të prodhimit dhe për biznesin e vogël, atë shpk ose personat fizikë
-Heqja e TVSH-së për importin e makinerive bujqësore dhe pagimi i saj në rastet kur këto rieksportohen
-Ulja e masës së TVSH-së për makineritë e ndërtimit dhe pagimi i shumës me këste me periudha kohore të gjata.


 

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›