E Shtunë, 31 Tetor 2026

Nis Asambleja e PS-së, nuk lejohen mediat

Asambleja Kombëtare e Partisë Socialiste po zhvillon punimet. Forumi i lartë i selisë rozë ka marrë vendimin për moslejimin e medias në punimet e saj përmes një procesi votimi, ku duket se shumica ka qenë dakord që gazetarët të mos lejohen që të ndjekin këtë mbledhje. Asambleja do të dëgjojë vleresimin dhe qëndrimin e kryetarit Edi Rama për zgjedhjet i bërë publik edhe gjatë ditëve pas zgjedhjeve, por edhe qëndrimin e tij në lidhje me statutin e partisë që parashikon ndërprerje të mandatit të kryetarit në rast të humbjes së zgjedhjeve të përgjithshme.
Në mbledhje pritet të paraqiten dy promemorie, e para e hartuar nga Saimir Tahiri që përfshin mbështetësit e Edi Ramës, dhe një tjetër e hartuar nga kundërshtarët e kryetarit Rama.
3 skenare janë mundësitë nepër të cilat mund të zhvillohet mbledhja e forumit të larte të socialisteve.
E para, edhe pse e çuditshme, në fakt ka më shumë mundësi të ndodhë dhe është pikërisht dorëheqja e kryetarit të PS-së, Edi Rama. Por kjo strategji nuk do të thotë që Edi Rama do t'i hapë rrugën një gare të re për postin e kryetarit të partisë më të madhe të opozitës, por që ai do të kërkojë votëbesimin nga forumet drejtuese të partisë. Pikërisht burime brenda PS-së, bëjnë të ditur se mbështetësit e Ramës do të kërkojnë thirrjen e Kongresit të Jashtëzakonshëm në datën 28 gusht. Në këtë rast është Gramoz Ruçi ai i cili do të ushtrojë kompetencat e kryetarit të partisë derisa kongresi të vendosë fatin e Edi Ramës.
Një tjetër skenar që mund të zhvillohet në Asamblenë e PS-së është ai i cili është parë në të gjitha deklaratat publike të selisë të PS-së e që ka të bëjë me mosnjohjen e zgjedhjeve. Kjo alternativë është artikuluar shpesh nga Edi Rama dhe bojkoti i parlamentit dhe mosnjohja e rezultatit të zgjedhjeve të 28 qershorit i jep atij mundësinë të qëndrojë në krye të partisë. Por miratimi i këtij vendimi në fakt pritet të shoqërohet me debate të ashpra në PS pasi figura të njohura të kësaj partie kanë dalë kundër kësaj teze.
Dhe skenari i tretë që në fakt është më pak i mundshëm është miratimi i promemories së hartuar nga Ben Blushi, Arben Malaj, Kastriot Islami e të tjerë. Kjo promemorie synon pranimin e humbjes që do të përkthehet automatikisht në ndërprerje të mandatit të Edi Ramës si kryetar i PS-së. Megjithate do të jetë Edi Rama dhe anëtarët e Asamblesë të cilet do të vendosin për rrugën në të cilën do të ecë PS.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›