E Martë, 3 Nëntor 2026

Tajlandë, një fëmijë lind i infektuar me A/H1N1

Autoritetet shëndetësore në Tajlandë njoftuan se një foshnjë kishte lindur e sëmurë me gripin A/H1N1/, pasi ishte infektuar me virusin e ri ndërsa nuk kishte lindur ende.Fëmija kishte lindur para kohe fundjavën e kaluar, pasi mjekët vendosën të ndërhynin përmes një operacioni te nëna e foshnjës, e cila ishte prekur nga virusi i gripit të derrave.
"Gjendja shëndetësore e fëmijës është e qëndrueshme. Për momentin po përpiqemi të zbulojmë se si foshnja është infektuar. Është hera e parë që konstatojmë një rast të infektimit të fëmijës së palindur nga nëna e tij", u shpreh Suriya Coohahrat, një zyrtar i lartë i shëndetësisë në provincën Ratchaburi. Nëna e fëmijës ndodhet në gjendje të rëndë shëndetësore në spital. Ndërkohë media lokale citonte një mjek tjetër, sipas të cilit në Shtetet e Bashkuara ishin njoftuar tre raste të transmetimit të virusit H1N1 nga nëna te fëmija ende i palindur.
Tajlanda ka raportuar për vdekjen e 44 personave nga gripi i derrave dhe ndërkohë më shumë se 6,700 persona janë infektuar, numri më i lartë në Azinë Juglindore.
Organizata Botërore e Shëndetësisë shpalli pandeminë globale të gripit të derrave më 11 qershor. Që prej zbulimit të tij për herë të parë në muajin prill, virusi i ri ka shkaktuar vdekjen e më shumë se 800 personave në të gjithë botën.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›