E Diel, 1 Nëntor 2026

Nis dhjetëshi

Të hënën mbrëma, me fillim nga ora 19:30, në Teatrin Kombëtar të Kosovës, në Prishtinë, është hapur solemnisht edicioni i dhjetë i Festivalit Ndërkombëtar i Studentëve të filmit dhe Teatrit – Skena Up.

Pas solemnitetit të organizuar me këtë rast, ku, përveç organizatorëve, të pranishëm ishin edhe të ftuar të shumtë vendorë dhe ndërkombëtarë, kremtja vazhdoi me një ndejë, që u organizua në Hamam Jazz Bar, ku grupi Bei The Fish (Maqedoni) dhe DJ AlexUnder (Kosovë) u përkujdesën që dita e parë e festivalit të kalonte ashtu siç ishte menduar.

Paraprakisht, në orët e para të pasdites në Kinemanë ABC, në Prishtinë, u mbajt konferenca e parë për media e edicionit të dhjetë jubilar të festivalit Skena Up.

Në këtë konferencë u diskutua lidhur me programin e larmishëm të festivalit Skena Up, si dhe për mysafirët dhe programet e veçanta që kësaj radhe do të jenë pjesë e tij.

Si rrjedhojë organizatorët bënë të ditur se risi sivjet do të jetë programi “Retrospektiva e Kubrik’ut”, i cili sponsorohet nga shtëpia e madhe filmike botërore Warner Bros. Ky program publikut të festivalit Skena Up do t’i prezantohet nga Janë Harlan, producent i regjisorit të njohur, Stanley Kubrik.

Edicioni i këtij viti do të këtë edhe shumë programe tjera, si panele, diskutime, e punëtori, si dhe programin “Instead”, pjesë e të cilit është një mysafir nga Holanda, i cili gjatë festivalit merret ekskluzivisht me debate.

Ndryshe, edicioni i sivjetmë i Skena Up do të ketë tri juri të ndara profesionale, të cilat do të vlerësojnë programin e filmit ndërkombëtar, atë të filmit kombëtar dhe atë të programit teatror.

Të gjitha ngjarjet do të zhvillohen në Kinemanë ABC 1, në Teatrin Kombëtar të Kosovës, në teatrin Dodona dhe në teatrin ODA, ndërkohë që në Qendrën Informative dhe Kulturore të BE’së (EU Info & Cultural Center) do të mbahen ligjëratat dhe debatet. Ndejat e përnatshme ndërkaq do të mbahen në Hamam Jazz Bar.

Festivali Skena Up, do të zgjas deri më 9 dhjetor. Në kuadër të tij do të shfaqen 50 filma (të shkurtër, dokumentarë dhe të animuar) dhe 9 shfaqje teatrore, krijime këto që vijnë nga disa dhjetëra shtete të botës.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›