E Shtunë, 31 Tetor 2026

Nis dialogu jozyrtar për liberalizimin e vizave me shtetin e ri

 
Një grup ekspertësh të Komisionit Europian do të takohen për tri ditë me zyrtarë të qeverisë, për të diskutuar mbi kriteret e nevojshme për fillimin e procesit
 
 
Javën e ardhshme pritet të nisë dialogu mes Kosovës dhe Komisionit Europian për liberalizimin e vizave. Zyrtarë të Ministrisë së Punëve të Brendshme kanë deklaruar se procesi do të nisë me një takim me ekspertë të Komisionit Europian, që do të mbahet më 27 janar në Prishtinë. Delegacioni do të takohet për tri ditë radhazi me zyrtarë të qeverisë, me të cilët do të diskutojnë kriteret për liberalizimin e vizave. Zëdhënësi i Ministrisë së Punëve të Brendshme, Fisnik Rexhepi, tha për radion “Europa e Lirë”, se takimi shënon edhe fillimin e dialogut për vizat. “Edhe pse takimi nuk quhet ende dialog për liberalizim vizash, të gjithë kriteret janë aty. Ne presim që Komisioni Europian këtë takim e ka ruajtur me qëllim dhe besoj se do të vijë me risi”, tha Rexhepi. Në të njëjtën frymë u shpreh edhe eksperti për integrimet europiane, Shenoll Muharremi. Ai tha se axhenda e takimit është e ngjashme me ato që Komisioni Europian ka zhvilluar me vendet e rajonit, të cilave u kishte dhënë udhërrëfyesin për liberalizim vizash. “Nëse e shihni me kujdes axhendën se çfarë do të bisedohet në këtë takim, shumica e temave dhe e kritereve të procesit janë të përfshira në këtë takim. Ndaj, mund të themi se zyrtarët e Komisionit Europian do të dialogojnë me Qeverinë e Kosovës për çështjen e liberalizimit të vizave”, theksoi Muharremi. Komisioni Europian nuk i ka dhënë ende udhërrëfyesin për liberalizimin e vizave Kosovës, pasi pengesa kryesore fillimisht ishte statusi i pazgjidhur, e pastaj mosnjohja e Kosovës nga ana e pesë vendeve anëtare të BE-së. Për të mos mbetur jashtë këtij procesi, Ministria e Punëve të Brendshme ka hartuar njëanshëm një udhërrëfyes, për të plotësuar kriteret e kërkuara për liberalizim vizash. Rexhepi theksoi se në takimin e javës së ardhshme, ekspertët do të njihen me punën që ka bërë Kosova në përmbushjen e këtyre kritereve. “Axhenda është dizajnuar bashkërisht me Komisionin Europian. Ne do të raportojmë për progresin e arritur në menaxhimin e kufijve, pastaj në sigurinë e dokumenteve, në riatdhesimin, në reformën në Policinë e Kosovës, pastaj bashkëpunimi gjyqësor, mbrojtjen e të drejtave dhe lirive të njeriut, pastaj të komuniteteve pakicë”, - sqaroi Rexhepi. Kosova është e vetmja nga vendet e rajonit, që nuk është e përfshirë në procesin e liberalizimit të vizave. Nga dhjetori i vitit të kaluar, Serbisë, Maqedonisë dhe Malit të Zi iu hoq regjimi i vizave, ndërsa është paralajmëruar se këtë vit do të hiqet edhe për Shqipërinë e Bosnjën. Raportuesja për Kosovën e Parlamentit Europian, Ulrike Lunacek, ka thënë se Kosova mund të mbetet i vetmi vend në Ballkan, që nuk do të përfshihet në listën e bardhë të “Shengenit” për të paktën 3 ose 5 vjet.
 
 
 
EULEX rifillon procesin gjyqësor kundër Albin Kurtit
 EULEX-i ka vendosur të rinisë procesin gjyqësor kundër liderit të lëvizjes “Vetëvendosje”, Albin Kurti. Zëdhënësja e EULEX-it, Karin Limdal, konfirmoi dje për radion “Europa e Lirë”, se procesi do të fillojë me 15 shkurt në Gjykatën e Qarkut, ndërsa seancat dëgjimore do të mbahen në muajin shkurt dhe mars. “Ky është një vazhdim i procesit gjyqësor që ka nisur në vitin 2007, ndërsa rasti është transferuar nga UNMIK-u tek EULEX-i. Procesi gjyqësor që ndalur atëherë, pasi që asnjë avokat nuk pranonte ta mbronte zotin Kurti”, thuhet në deklaratën me shkrim të zëdhënëses Limdal. Procesi gjyqësor do të zhvillohet nga një panel i përzier gjykatësish, ndërsa kryesues do të jetë një gjyqtar i EULEX-it. Lajmin për rifillimin e procesit gjyqësor e ka konfirmuar për radion “Europa e Lirë” edhe vetë Albin Kurti, i cili tha se ka marrë nga EULEX-i një ftesë për të marrë pjesë në seancën gjyqësore të 15 shkurtit. Mbi Albin Kurtin rëndojnë akuzat për pjesëmarrje në një turmë që ka kryer vepra kriminale, pjesëmarrje në një grup që ka penguar personat zyrtar kryerjen e punëve zyrtare dhe për thirrje për rezistencë në lidhje me ngjarjet e shkurtit të 2007-ës në Prishtinë, në të cilat ishin vrarë dy protestues. Lëvizja “Vetëvendosje” përmes një komunikate ka kritikuar vendimin e EULEX-it dhe ka thënë se bëhet fjalë për një proces të montuar politik. Por menjëherë ka reaguar lëvizja “Vetëvendosje”, e cila në një deklaratë për mediat shprehet se me rihapjen e rastit të Albin Kurtit, EULEX-i ka zgjedhur t’i vazhdojë plumbat e UNMIK-ut. “EULEX-i ka marrë nga UNMIK-u 1200 dosje për raste të veçanta. Shumica prej tyre janë dosje politikanësh të korruptuar, krim politik e ekonomik. Por EULEX-i i ka lënë këto dosje mënjanë dhe ka zgjedhur riaktualizimin e procesit të turpit”, thuhet ndër të tjera në këtë deklaratë. Albin Kurti u mbajt në burg për gati një vit, shkurt 2007-janar 2008, ndonëse shumë organizata të mëdha ndërkombëtare për të drejtat e njeriut, në mesin e tyre edhe “Amnesty International”, konkluduan se demonstruesit ishin përbrenda kornizës paqësore të protestës. Edhe sot e kësaj dite vrasësit e demonstruesve paqësorë, policët e kontingjentit rumunë të UNMIK-ut nuk janë ndëshkuar nga drejtësia, por ata janë lejuar të kthehen në Rumani.
 
 
 
UNMIK nuk zbaton rregulloren
 
Kosova shpenzon miliona euro për Serbinë dhe Malin e Zi
 
Automjetet e këtyre shteteve që hyjnë në territorin e Kosovës nuk i nënshtrohen sigurimit kufitar. Si pasojë, Prishtina ende paguan dëmet e aksidenteve me paratë e Fondit të Garancisë
 
 
Edhe gati dy vjet pas shpalljes së pavarësisë, privilegjet për serbët dhe malazezët në Kosovë ende vazhdojnë. Ndërsa të gjithë shtetasit e huaj në momentin kur hyjnë në territorin e Kosovës janë të detyruar të paguajnë policë kufitarë, kjo nuk vlen për shtetasit e Serbisë dhe të Malit të Zi. Ata mund të hyjnë në Kosovë pa këtë dokument, ndërsa dëmet që mund të shkaktojnë mbulohen nga Fondi i Garancisë. Por dëme të tilla iu kushtojnë miliona euro kompanive kosovare të sigurimit. Në anën tjetër, kur kosovarët u drejtohen këtyre shteteve, përveç sigurimeve kufitare, detyrohen të paguajnë edhe taksë ekologjike. Prej vitit 2002 e deri në përfundim të vitit 2009, automjetet me targa nga Serbia dhe Mali i Zi, kanë shkaktuar gjithsej 1168 aksidente dhe Fondi i Garancisë ka paguar 1,574,217 euro për ta. Ndërkaq, vetëm në vitin 2009 janë shkaktuar 162 aksidente, kurse vlera e kompensimit është 146 mijë euro. Kryetari i Bordit të Fondit të Garancisë se Kosovës (FGK), Ibrahim Kastrati, thotë se edhe pse rregullorja e UNMIK-ut për sigurimet nuk ka përjashtuar asnjë qytetar nga obligimi për sigurimin e detyrueshëm të automjeteve, për shkaqe politike UNMIK-u nuk e ka aplikuar asnjëherë. “Edhe sot e kësaj ditë ka mbetur çështje e pazgjidhur problematika e automjeteve nga Serbia dhe Mali i Zi, që hyjnë në territorin e Kosovës dhe nuk i nënshtrohen sigurimit kufitar”, thotë Kastrati. Sipas tij, kjo gjë e obligon Fondin e Garancisë së Kosovës që të kompensojë të dëmtuarit. Përveç qytetarëve, të diskriminuar në konkurrencë janë edhe bizneset në Kosovë. “Përderisa bizneset tona i kryejnë të gjithë obligimet kufitare, në rastet kur tregtojnë mallra me këto dy shtete, kjo nuk vlen edhe për bizneset fqinjë kur hyjnë në Kosovë”, - thotë Agim Shahini, kryetar i Aleancës Kosovare të Bizneseve. Sipas tij, qeveria duhet të rishikojë vendimin që ka marrë më herët UNMIK-u dhe të nxirret një akt, i cili i barazon të gjithë qytetarët. “Vendimi është politik dhe buron nga Rezoluta 1244. Qeveria duhet ta rishqyrtojë këtë çështje, në mënyrë që të mos diskriminojë qytetarët dhe bizneset”, tha Shahini. Sipas tij, nëse një qytetar serb shkakton aksident në Kosovë dhe është fajtor, atëherë vështirë se mund të bëhet kompensimi nga sigurimi i shtetit serb. Në anën tjetër, Berat Rukiqi, nga Oda Ekonomike e Kosovës, tha se vendimi fatkeqësisht është ende i zbatueshëm dhe kërkon nga autoritetet që sa më parë të bëjë diçka në ketë drejtim. Vetë qeveria e Kosovës thotë se do t’i japë fund këtij problemi, në momentin kur do të merret një vendim për targat e reja të Kosovës. Memli Krasniqi, zëdhënës i qeverisë, ka thënë për “Express”, se ky problem zgjidhet paralelisht me vendimin për targat e reja. “Gjatë këtij viti, në qarkullim në tërë territorin e Kosovës do të jenë vetëm targat zyrtare të Kosovës dhe ky problem do të zgjidhet”, tha Krasniqi.
 
 
Kosovë, rritet numri i narkomanëve
Numri i përdoruesve të drogës në Kosovë është gjithnjë e në rritje. Por asnjë institucion nuk ka të dhëna të sakta për përdoruesit e drogës e as për sasinë e konsumimit të drogës në vend. Sipas radios gjermane “Deutsche Welle”, përdoruesit e drogave janë të të gjitha grupmoshave. Vitin e kaluar, Qeveria e Kosovës miratoi strategjinë kundër drogave në Kosovë, ku ndër pesë ministritë përgjegjëse për implementimin e saj, Ministria e Shëndetësisë ofron programe parandaluese, trajtimin dhe rehabilitimin e individëve që kanë përdorur drogë. Ndërkohë, në Klinikën Psikiatrike të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) funksionon Reparti për Trajtimin e Sëmundjeve të Varësisë. Shefi i këtij reparti, Shaban Mecinaj, inkurajon përdoruesit e substancave narkotike që të drejtohen në këtë qendër detoksikuese, e cila megjithëse me kapacitete të vogla, mbetet e hapur për të gjithë ata që duan t’i rikthehen jetës normale. “Në klinikë fillimisht bëjmë një intervistë motivacioni. Dhe, në momentin që pacienti pranon të trajtohet, atëherë ne bëjmë pranimin edhe trajtimin e tyre në një kohëzgjatje prej 10-të deri në 15-të ditë. Kjo quhet periudha e dezintoksikimit apo e pastrimit nga substancat narkotike. Mirëpo, krahas programeve dezintoksikuese, neve na mungojnë programet mbajtëse. Dhe fatkeqësisht, deri më tani s’ka ndonjë fond të veçantë për këtë fenomen, përveç një iniciative nga Fondi Global, i cili së shpejti pritet të themelojë tri qendra, në Prizren, Gjilan dhe në Prishtinë”, ka thënë Mecinaj.
 
 
 
Maqedoni-Greqi
 
Milloshovski dhe Drukas, takim për çështjen e emrit
 Ministri i Punëve të Jashtme të Maqedonisë, Antonio Milloshovski dhe zëvendësministri i Jashtëm grek, Dimitris Drukas, pritet të realizojnë në 28 janar një takim në Londër, në kuadër të konferencës ndërkombëtare për Afganistanin. Takimi është iniciuar nga Ministria e Punëve të Jashtme e Republikës së Maqedonisë, e cila gjatë këtyre ditëve i dërgoi kërkesë Athinës zyrtare për mbajtjen e takimit bilateral. Në qoftë se pala greke do t’i përgjigjet kërkesës pozitivisht, siç konfirmojnë nga MPJ-ja, takimi do të mbahet më 28 janar dhe në të do të diskutohet për çështjen e emrit kushtetues të Maqedonisë. Përveç për dallimet midis dy shteteve rreth mosmarrëveshjes për emrin, pritet që Milloshovski dhe Drukas të bisedojnë edhe për ngritjen e nivelit të zyrave ndërlidhëse në ambasadat në Shkup dhe Athinë, për nënshkrim të marrëveshjes për evitim të tatimit të dyfishtë, si dhe për hapjen e vendkalimeve të reja kufitare mes dy vendeve, iniciativa të cilat ministri i Maqedonisë i Punëve të Jashtme i ngriti në takimin me Dimitris Drukas në fund të vitit të kaluar, në Athinë, në takimin e zhvilluar në kuadër të konferencës ministrore të OSBE-së.
 

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›