E Shtunë, 31 Tetor 2026

Nis diskutimi i konkluzioneve per vendet e zgjerimit

Në Bruksel nisi punimet Këshilli i Çështjeve të Përgjithshme, i cili pritet të miratojë gjatë pasdites konkluzionet për Shqipërinë dhe vendet e zgjerimit.

Diskutimet e sotme vijojnë me Serbinë, Kosovën dhe Maqedoninë, për të cilat as ministrat e Jashtëm nuk mundën të gjejnë gjuhën e përbashkët në debatet e Këshillit të një dite më parë. Ndërkohë, presidenca qipriote konfirmoi se konkluzionet për Shqipërinë janë mbyllur që të premten, në nivel ambasadorësh.

"Nuk ka kushte shtesë. Teksti është miratuar tashmë e mendoj se është i mirë, përcjell një mesazh pozitiv për Shqipërinë. Pak a shumë është rënë dakort për konkluzionet në nivel ambasadorësh, mbeten vetëm dy çështje për t’u zgjidhur. Paragrafi për Serbinë dhe Kosovën si dhe paragrafi për ish Republikën Jugosllave të Maqedonisë mbeten për t’u diskutuar", u shpreh ministrja e Jashtme qipriote, Erato Kozakou-Marcoullis.”

"Ajo që dëgjojmë këtu, ajo që shohim dhe ajo që di është se keni bërë progrese në Shqipëri. Mbi të gjitha ligji për zgjedhjet. Mendoj gjithashtu se u duhet dhënë akoma kohë, si qeverisë dhe opozitës, të gjejnë rolet e tyre, dhe Bashkimi Europian është gati të nisë një ditë negociatat, kur të vijë koha, sepse Shqipëria është një vend i madh. Nuk e di a është momenti të flasim për një datë, sepse duhet të jemi seriozë si në BE ashtu edhe në Shqipëri. Mendoj se duhen bërë reforma në thelb, e pastaj negociatat do të nisnin menjëherë. Por duhet bërë fillimisht kjo punë. Nëse kjo nuk bëhet, atëherë japim shpresa në Shqipëri e këtu krijohen ndoshta reagime negative që duhen evituar. Pra unë jam në favor që Shqipëria të mundë të nisë negociatat një ditë, me kushtet e duhura, dhe të mundë të bëhet dhe vend anëtar në BE", u shpreh Jean Asselborn, ministri i Jashtëm i Luksemburgut.

Në tekstin për Shqipërinë, përveç plotësimit të tre çështjeve të përcaktuara nga Komisioni, dhe provave të luftës ndaj krimit e korrupsionit, përfshihet edhe "testi i zgjedhjeve për mirëfunksionimin e institucioneve demokratike", i cili lidhet ngushtë me përmbushjen e kriterit politik për marrjen e statusit. Përfshirja e këtij përkufizimi në pjesën e qëndrimit të vendeve anëtare, përveç përsëritjes në pjesën e kushteve për negociatat, shtyn shancet për marrjen më të afërt të mundshme të statusit, në dhjetorin e vitit 2013. Ndërsa për marrjen e një date për çeljen negociatave për anëtarësim, vendi duhet të plotësojë, gjatë një viti elektoral, gjashtë kriteret e paplotësuara ende, nga 12 që u përcaktuan në Opinionin e Komisionit të vitit 2010.

Pergatiti ARTA TOZAJ

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›