Nis edicioni i 64-t i Festivalit të Këngës në RTSH

TIRANË, 17 dhjetor/ATSH/ Edicioni i 64-t i Festivalit të Këngës në RTSH nisi mbrëmjen e sotme në Pallatin e Kongreseve në Tiranë, ku gjatë katër netëve interpretojnë 28 artistë.
I cilësuar si festa më e madhe e muzikës së lehtë shqiptare, festivali i këtij viti prezantohet nga aktori Salsano Rrapi dhe këngëtarja Arilena Ara.
Drejtoresha artistike e festivalit, Elhaida Dani çeli natën e parë me këngën “Pyes lotin” të Elsa Liles, fituese e Festivalit të 35-të të Këngës në RTSH, duke risjell emocione të forta dhe kujtime të paharrueshme për publikun.
Në skenë performoi edhe Kroni Pula, e cila interpretoi këngën “Fruta Perime”, me të cilën përfaqësoi Shqipërinë në Junior Eurovision.
Në natën e parë të festivalit performuan 14 artistë që prezantuan krijimet e tyre, duke shfaqur një ndërthurje të larmishme zhanresh nga baladat deri te rrymat më bashkëkohore.
Artistët që u ngjitën në skenë natën e sotme janë: Rigersa Loka me këngën “Albanian Heart”, Lorenc Hasrama – “Lamtumirë”, Sara Kapo – “Të dua shumë”, Sheila – “Zemra e tokës”, Kleansa Susa – “Hije”, Gresa Gjoçera & Bledi Kaso – “Busulla e zemrës”, Rezarta Smaja – “Balukeprera”, Ghiti – “Okej”, Lynx – “Nuk kthehem pas”, Erand Sojli – “Të kam në fron”, Inis Neziri – “Ta kam fal”, Kimi – “Prapë diell del”, Alis – “Nan” dhe Enxhi Nasufi – “Dritë”.
Emra të njohur të muzikës dhe artit shqiptar janë pjesë e jurisë së Festivalit të 64 të Këngës në RTSH, të cilët kanë në dorë fatet e 28 këngëve pjesëmarrëse.
Ndërsa në natën e dytë, më 18 dhjetor, në skenë do të ngjiten Savjana Vjerdha, 2 Farm, Greta Mahmutaj, Sihana Haxhnikaj, Luna Causholli, Erik Lloshi, Frensi, Malvina Likaj, Vedat Ademi, Kamela Islamaj, Threex, Endri Kacaci, Fifi dhe Tiri Gjoci dhe Evi Reci.
Për 4 netë me radhë, 28 artistët pjesëmarrës, emra të njohur të skenës, por edhe artistë të rinj, do të ngjiten në skenën e Pallatit të Kongreseve, ku do të performojnë këngët e tyre para publikut dhe jurisë, si dhe do të garojnë për çmimet e këtij viti.
Nata e tretë, e cila do të quhet Nata e Nostalgjisë, do t’i dedikohet autorëve dhe poetëve të këngëve të Festivalit, të cilët do të sjellin performanca emocionuese për publikun, këngë të cilat kanë lënë gjurmë në historinë e festivalit të fundvitit.
Juria përbëhet nga Belinda Budini, Dekane e Shkencave Humane, Edukimit dhe Arteve Liberale në Universitetin Europian të Tiranës, kompozitorët Valentin Veizi dhe Zef Çoba, gazetarja Anila Basha, violinisti Olen Çezari, këngëtarja Bleona Qereti dhe nga tenori me famë botërore Ramë Lahaj.
Në dy netët konkurruese, juria do të vendosë 10 këngët që do kalojnë në natën finale. Fituesi i Festivalit do të përcaktohet nga kombinimi 50% vota e jurisë dhe 50% vota e publikut përmes SMS-ve, dhe do të përfaqësojë Shqipërinë në Eurovision.
Në natën finale, më 20 dhjetor, do të shpallet, përveç çmimeve të tjera, edhe fituesi, i cili do të përfaqësojë Shqipërinë në Eurovision 2026.
Festivali i këngës në RTSH, Foto: Florian Abazaj 1 nga 16/k.s/a.f/