Nis gjyqi ndaj Dakos në GJKKO, nën akuzë për shpërdorim detyre

TIRANË, 27 qershor/ATSH/ Ish-kryetari i Bashkisë së Durrësit, Vangjush Dako, është paraqitur të enjten në Gjykatën e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.
Dako akuzohet për veprën penale “shpërdorim detyre” në dy raste. Ai është nën masën e sigurisë “Arrest në shtëpi”. Ai ndodhet në GJKKO për të marrë pjesë në seancën e parë gjyqësore lidhur me dosjen hetimore të përgatitur nga SPAK për Dakon dhe 10 të pandehurit e tjerë, ndërsa pritet të mësohet nëse do kërkohet gjykimi i shkurtuar.
Dako fillimisht u hetua në masën e sigurisë “arrest me burg”, por pas përfundimit të afatit të paraburgimit dhe me vendim të Gjykatës në 27 shkurt, ish-kryebashkiaku i Durrësit u lirua nga qelia, duke qendruar në masë sigurie “arrest shtëpie”. Ky vendim i Gjykatës Antikorrupsion u apelua nga SPAK në Apelin e GJKKO. Togat e zeza edhe në këtë rast vendosën të linin në fuqi masën e sigurisë “Arrest shtëpie”.
SPAK mbylli hetimet për Dakon në dhjetor. Objekt hetimi, në kuadër të këtij procedimi kanë qenë dy fakte penale: procedura e dhënies së lejes së ndërtimit të një pallati shumëkatësh dhe plotësimi i dokumentacionit të tij deri në regjistrimin e pasurisë, si dhe procedura e prokurimit “Shërbim konsulence” për sigurimin e projektit “Projektim zbatim për Promenadën Bregdetare dhe Plazhin publik nga Bërryli deri në Currila”, me fond limit 21.000.000 lekë me T.V.SH.