Peleshi: Krijim i kushteve që Agjencia e Inteligjencës dhe Sigurisë së Mbrojtjes të realizojë misionin

TIRANË, 27 qershor /ATSH/ Ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi paraqiti sot në Kuvend projektligjin “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 65/2014, “Për Agjencinë e Inteligjencës dhe Sigurisë së Mbrojtjes”.
Peleshi u shpreh në fjalën e tij se, “kjo agjenci është një strukturë me rëndësi të veçantë në përmbushjen e misionit kushtetues të mbrojtjes së vendit”.
“Agjencia e Inteligjencës dhe Sigurisë së Mbrojtjes mbështet me inteligjencë autoritetet e drejtimit dhe të komandimit strategjik të Forcave të Armatosura në fushën e zbulimit, kundërzbulimit, të sigurisë në nivelin strategjik dhe operacion në përmbushje të misionit të tyre kushtetues”, theksoi Peleshi.
Peleshi nënvizoi se, “qëllimi i këtyre ndryshimeve ligjore lidhet me krijimin e kushteve që AISM të realizojë misionin në mbështetje të ligjit, të rregullojë marrëdhëniet me strukturat e tjera ligjzbatuese dhe të përmirësojë trajtimin financiar dhe kualifikimin e punonjësve të vetë”.
“Ndryshimet e propozuara në këtë pr/ligj vijojnë të jenë të mbështetura në filozofinë e ndërtimit dhe funksionimit të një institucioni inteligjence anëtar të NATO-s, i cili ndërtohet, organizohet dhe funksionon bazuar në parimet e ligjshmërisë, objektivitetit dhe paanësisë, respektimit të drejtave dhe lirive themelore të njeriut, asnjanësisë politike, menaxhimit dhe kontrollit të centralizuar, bashkëveprimit ndërinstitucional, ruajtjes së informacionit të klasifikuar sekret shtetëror, formave dhe metodave të punës, si dhe parimin e kontrollit dhe llogaridhënies”, tha Peleshi.
Ndryshimet, theksoi ministri janë bërë duke marrë në referencë edhe kuadrin ligjor të vendeve të NATO-s.
“Ndërhyrja në këtë ligj, veçanërisht lidhet me, së pari, përmirësimin e funksionalitetit të AISM, duke i siguruar mjetet e nevojshme të grumbullimit të informacionit në përmbushjen e misionit të saj, me sigurimin e aksesit në sisteme dhe baza të të dhënash kombëtare dhe ndërkombëtare si Regjistri i Gjendjes Civile, apo sistemi TIMS, me qëllim ngritjen e cilësisë, saktësisë dhe shpejtësisë së përpunimit të informacionit”, u shpreh Peleshi.
Ndryshimet, theksoi ai, sjellin edhe mundësi për përparimin në karrierë të punonjësve.
/r.e/