Nis groposja e kafshëve të ngordhura nga zjarri në Gramsh, shërbimet veterinare në terren

Shërbimi Veterinar i Elbasanit, në bashkëpunim me bashkinë e Gramshit, ka nisur procesin e groposjes së kafshëve të ngordhura si pasojë e zjarreve në zonë. Ky operacion po kryhet me qëllim parandalimin e përhapjes së sëmundjeve dhe garantimin e sigurisë shëndetësore për banorët.
Drejtori i Shërbimit Veterinar, Spiro Hunçi, së bashku me stafin e tij, ndodhen në terren në njësinë administrative Skënderbegas. Aty po evidentojnë dhe inventarizojnë të gjitha kafshët e ngordhura, të djegura ose të asfiksuara.
Zyrtarët kanë konfirmuar se procesi i groposjes dhe asgjësimit po bëhet në mënyrë të kontrolluar, duke respektuar të gjitha kërkesat veterinare dhe të mbrojtjes së mjedisit. Në këtë operacion janë përfshirë edhe kryetari i bashkisë, Besian Ajazi, strukturat vendore të emergjencave dhe banorët e zonës.
/rtsh.al/