E Diel, 1 Nëntor 2026

GJERMANI – Asnjë lehtësim për fermerët, ndërsa gripi i shpendëve përhapet më tej

HAMBURG, 31 tetor /ATSH-DPA/ – Një shpërthim i rëndë i gripit të shpendëve që ka përfshirë Gjermaninë vazhdon të përhapet, me fermat komerciale të shpendëve në 10 nga 16 landet federale të vendit tashmë të prekura, sipas të dhënave zyrtare të publikukuara sot.

Që nga fillimi i shtatorit, gjithsej 48 ferma kanë raportuar shpërthime të gripit të shpendëve, bëri të ditur “Instituti Friedrich Loeffler” (FLI), i cili është përgjegjës për monitorimin e shëndetit të kafshëve.

Sipas shifrave më të fundit, gripi i shpendëve është konfirmuar në edhe tre ferma të tjera që nga dita e djeshme.

Të gjitha kafshët në fermat e prekura janë therur për të parandaluar përhapjen e mëtejshme të virusit, dhe deri tani janë vrarë më shumë se 525 mijë shpendë.

Një zëdhënës i FLI-së bëri thirrje për kujdes, duke paralajmëruar se numri i rasteve mund të rritet më tej për shkak të natyrës dinamike të shpërthimit.

Landet më të prekura deri tani është Saksonia e Ulët, me 17 ferma ku janë konfirmuar infeksione. Pas saj vijnë landet lindore Brandenburg me tetë ferma të prekura dhe Mecklenburg-Pomerania Perëndimore me gjashtë.

Varianti shumë ngjitës H5N1 është konfirmuar zyrtarisht në 248 kufoma zogjsh të egër, megjithatë numri real i zogjve të ngordhur është shumë më i lartë, theksoi FLI.

Vetëm në Brandenburg, disa mijëra lejlekë gri (kranë) kanë ngordhur nga sëmundja. Ky land rrethon kryeqytetin, Berlinin.

Për të mbrojtur blegtorinë, landet e Saarlandit dhe Hamburgut kanë urdhëruar ndalimin e mbajtjes së shpendëve në ambient të hapur në gjithë territorin e tyre, me qëllim parandalimin e përhapjes së gripit tek shpendët riprodhues, për majmëri dhe ata shtëpiakë.

Edhe lande të tjera kanë vendosur ndalime të ngjashme për mbajtjen e shpendëve në ambient të hapur, megjithëse shpesh të kufizuara vetëm në disa rajone. /Ad.Ab./

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›