E Diel, 1 Nëntor 2026

Nis korrigjimi i testeve të matematikës, rezultatet në muajin korrik

Menjëherë pas daljes sot, në shkolla, të rezultateve të provimit të Gjuhës Shqipe dhe Leximit Letrar, drejtoritë arsimore do të nisin korrigjimin e testeve të Matematikës, provimit të dytë të lirimit, i cili u zhvillua disa ditë më parë. Në ndryshim nga Matura Shtetërore, ku korrigjimi i testeve bëhet nga Agjencia e Vlerësimi të Arritjeve të Nxënësve (AVA), korrigjimi i testeve të provimit të lirimit do bëhet në qendrat e vlerësimit të ngritura në drejtoritë arsimore rajonale, në bazë të skemës së korrigjimit të përgatitur nga AVA. Burime pranë Drejtorisë Arsimore të Tiranës, vlerësojnë se një përgjigje përfundimtare mbi rezultatet e provimit të dytë të lirimit, do të jepet në fillim të muajit korrik. Vonesa është e ndikuar edhe nga zgjedhjet parlamentare që do të mbahen më datë 28 qershor, ku administrata do ketë një pushim të detyruar treditor, për të filluar punë sërish pas mbylljes së procesit zgjedhor. Nxënës të shumtë kanë pohuar se provimi ishte relativisht i vështirë, ndërkohë që edhe në këtë provim do të ndiqet e njëjta skemë konvertimi pikësh në nota.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›