E Diel, 1 Nëntor 2026

KQZ rrëzon 3 kërkesa nga organizatat joqeveritare për vëzhgimin e zgjedhjeve

Vazhdon transferimi i Qendrave të Votimit drejt ambienteve private
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve shqyrtoi paraditen e djeshme disa kërkesa për akreditim të vëzhguesve të organizatave joqeveritare për monitorim të zgjedhjeve parlamentare, duke miratuar vetëm një prej tyre dhe rrëzuar tre të tjera. Me votë unanime KQZ miratoi akreditimin e vëzhguesve afatshkurtër të organizatës së Këshillit të Atlantikut të Shqipërisë, ndërsa rrëzoi kërkesën e shoqatës Demokracia Sociale për Zhvillim, të Qendrës së të Drejtave të Njeriut për Demokraci dhe të Shoqatës së Trashëgimtarëve të Pushkatuar, pasi nuk ishin në përputhje me ligjin. Ditët e fundit KQZ ka miratuar listën e vëzhguesve të propozuar nga shoqata të ndryshme joqeveritare, shqiptare dhe të huaja, si dhe nga organizma ndërkombëtare, si Delegacioni i Komisionit Evropian në Tiranë, nga OSBE/ODIHR, trupi diplomatik i akredituar në Shqipëri etj, të cilët i janë drejtuar zyrtarisht KQZ, duke kërkuar akreditimin e ekipeve të tyre vëzhguese afatshkurtra. Sipas ligjit zgjedhor, OJF shqiptare dhe të huaja, si dhe organizatat ndërkombëtare të angazhuara në mirëqeverisjen dhe demokratizimin, përfaqësues të shteteve të huaja dhe medias, kanë të drejtë të dërgojnë vëzhgues në zgjedhje. Kërkesat e vëzhguesve shqiptarë për akreditim i paraqiten KQZ jo më vonë se 15 ditë para datës së zgjedhjeve. Komisioni i miraton ato jo më vonë se pesë ditë nga paraqitja e tyre, ndërsa kërkesat e vëzhguesve të huaj paraqiten në KQZ jo më vonë se 72 orë para datës së zgjedhjeve. Miratimi i kërkesave të vëzhguesve të huaj bëhet brenda 24 orëve nga paraqitja e tyre. Ndërkaq, siç duket deri ditën e zgjedhjeve në KQZ nuk ndalet sherri për ndryshimin e Qendrave të Votimit nga ambientet publike drejt atyre priva. Nga 4751 QV të shpërndara në të gjithë territorin e vendit, 506 prej tyre do të vendosen në ambiente private. Kodi Zgjedhor parashikon ngritjen e tyre në ambiente publike, por në raste të veçanta edhe në ambiente private. KQZ dje pranoi disa propozime të tilla dhe hodhi poshtë disa të tjera. Megjithatë, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve vijoi edhe gjatë mbledhjes së djeshme shqyrtimin e aktit për miratimin e qendrave të votimit në ambiente private, të cilat do të funksionojnë në zgjedhjet e përgjithshme të 28 qershorit. KQZ, gjatë mbledhjes së djeshme dha autorizimin për ngritjen e QV në objekte private, në Bashkinë Rrogozhinë dhe Patos, sipas propozimeve të sjella nga drejtuesit vendorë. Ndërkohë që nuk u ra dakord për ngritjen e QV në ambiente private në Bashkinë Kavajë dhe komunën Ndërmenas, Fier, pasi ambientet e propozuara nuk i përmbushin standardet e kërkuara sipas ligjit. Gjithashtu, gjatë ditës së djeshme Komisioni Zgjedhor ishte në pritje të propozimeve për objekte private për QV në Njësinë Bashkiake nr. 7 në kryeqytet, drejtuesit e së cilës nuk e kanë përmbushur ende detyrimin sipas ligjit. Miratimi i vendndodhjes së këtyre QV i jep fund dhe procesit të ngritjes së QV në mjedise private. Duke u ndalur gjithnjë te menaxhimi i zgjedhjeve nga KQZ, një problem tjetër i pazgjidhur që shkel hapur Kodin Zgjedhor, është lejimi i garimit të kandidatëve të PD në zgjedhje duke u shtruar njëkohësisht funksione publike. Partia Socialiste këmbëngul në kërkesën e saj për të larguar nga gara për Parlamentin e ardhshëm të gjithë ata kandidatë, që mbajnë ende funksione të larta publike. Edhe një herë, socialistët të përfaqësuar në KQZ, kanë ngritur këtë shqetësim, duke i kërkuar këtij institucioni që të ndërhyjë në zgjidhjen e këtij problemi. Duke marrë fjalën, gjatë diskutimit të çështjeve jashtë rendit të ditës, përfaqësuesi socialist në KQZ, Genci Gjonçaj, u ka kujtuar anëtarëve të këtij komisioni se, pavarësisht evidentimit të kësaj problematike, nuk ishte marrë asnjë masë konkrete, për të detyruar këta kandidatë që të jepnin dorëheqje nga postet që ata mbanin. Por, një kërkesë e tillë ka gjetur një përgjigje negative nga ana e kreut të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Arben Ristani, i cili është shprehur se institucioni që ai drejton nuk ka asnjë kompetencë dhe asnjë detyrim për të detyruar këta kandidatë që të japin dorëheqjen. Nuk është në detyrimin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve që të ndërhyjë në një çështje të tillë. Ligji nuk ngarkon KQZ për zgjidhjen e këtyre pretendimeve. Duhet të drejtoheni në vend tjetër për të bërë këto deklarata dhe për të zgjidhur këtë çështje, u përgjigj Ristani.

*************************************************************
Zgjedhjet, sot nis shpërndarja e fletëve të votimit
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve pritet të nisë sot të shpërndajë fletët e votimit për komisionet e zonave të administrimit zgjedhor. Burime zyrtare nga KQZ thanë dje se sipas kodit zgjedhor sot do të nisë dërgimi pranë selive të KZAZ të fletëve të votimit, në përputhje me numrin e zgjedhësve. Më pas janë KZAZ që përcjellin materialin zgjedhor drejt qendrave të votimit, jo më vonë se 15 orë para hapjes së votimit. Fletët e votimit janë shtypur nga firma sllovene Cetis, e cila ishte fituese e prokurimit të kryer nga KQZ. Në rang vendi numërohen gjithsej 4751 qendra votimi me gjithsej 3.084.067 zgjedhës. Sipas përllogaritjeve të përcaktuara në kodin zgjedhor sasia e fletëve të votimit e prodhuar është 2% mbi numrin e zgjedhësve, që në total përllogaritet me rreth 3.145.748 fletë votimi.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›