Nis mbledhja e KQZ-së, forca policie jashtë godinës
Komisioni Qëndror i Zgjedhjeve ka nisur mbledhjen ku do të numërohen sërish fletët e votimit për kryetarin e bashkisë së Tiranës të hedhura në kutitë e gabuara.
Përfaqësuesi i PS-së Genc Gjonçaj ka deklaruar se vendimarrja për numërimin e fletëve të kontestuara nuk ka vlerë juridike. Sipas tij KQZ-ja nuk mund të miratojë një akt në parim dhe pastaj të nisë nga procedurat pasi nuk është një rrugë korrekte dhe ligjore.
“Hapja e kutive pa një vendim të KQZ-së është jo ligjore. Akti votohet në parim, nen për nen dhe pastaj përfundimisht dhe më pas nis zbatimi i tij” theksoi Gjonçaj.
Të njëjtën mendim shprehu edhe nënkryetarja e KQZ-së Dëshira Subashi e cila ka theksuar se akti në parim nuk merr vlerë ligjore pasi duhet të përfundojë akti dhe më pas të operohet.
Ndërkohë forca të shumta policie janë pozicionuar në ambjentet jashtë Komisionit Qëndror të Zgjedhjeve për të mos lejuar hyrjen e personave të paautorizuar në godinë.
Ndërkohë ditën e djeshme KQZ-ja nisi procesin e numërimit të votave të kontestuara proces që zgjati deri në orët e vona të mbrëmjes. Gjatë ditës së djeshme, KQZ-ja hapi 20 kuti në të cilat u gjetën 60 vota për kryetarin e Bashkisë së Tiranës ku pas numërimit rezultoi se 46 vota shkuan për kandidatin e “Aleancës për Qytetarin”, Lulzim Basha dhe 14 për kandidatin e “Aleancës për të Ardhmen”, Edi Rama.
Nga ana tjetër Partia Socialiste ka paralajmëruar se do të nisë një valë protestash të cilat pritet që të zhvillohen në kryeqytet para zyrave të Komisionit Qëndror të Zgjedhjeve dhe në qytete të tjera të vendit.