E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ristani me 5 bodigardë, replikat me PS para miratimit të aktit

Anëtarit të së majtës në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, Artan Lazaj i mbetet tashmë të japë dorëheqjen, pasi shumica e djathtë miratoi dje vendimin për të numëruar fletët e votimit, të gjetura në kutitë e gabuara. Ka qenë një deklaratë e bërë nga vetë Laze gjatë mbledhjes së djeshme, ku duke kundërshtuar aktin e paraqitur për miratim në tryezë, ka bërë të ditur se në rast se ai do të miratohej, personalisht do të jepte dorëheqjen si anëtar i këtij institucioni. “Ky akt është një grusht shteti modern. Ndaj, në rast se ky vendim do të votohet, unë deklaroj se do të jap dorëheqjen”, - tha Artan Lazaj në fjalën e vet, teksa nuk ka nguruar të replikojë fort si me anëtarët e djathtë të këtij Komisioni, ashtu edhe me përfaqësuesit e partive. Edhe përfaqësuesit socialistë në KQZ e kanë kundërshtuar fort këtë akt, duke konsideruar të paligjshëm dhe tentativë për të ndryshuar rezultatin e votimit në tavolinë, duke akuzuar kryetarin e këtij institucioni, Arben Ristanin si të urdhëruar. Midis këtyre akuzave nuk ka munguar edhe ajo e përfaqësuesit të PS-së, Eridian Saliani, i cili ka akuzuar Ristanit si të kapur nga “Rruga e Elbasanit”, duke aluduar për ambasadorin e SHBA-së, Aleksandër Arvizu. Megjithë situatën e rëndë, kreu i KQZ-së ka shpeJtuar të votojë aktin që bëri të mundur numërimin e votave të hedhura në kutitë e gabuara në parim, me vetëm 4 votat e anëtarëve të djathtë. Por nga acarimi i situatës ai ka harruar ta miratojë aktin në tërësi, ndërsa ka urdhëruar administratën që të sillte kutitë për t’i hapur. Vetëm pas një pushimi, Ristani ka mundur të rregullojë këtë mangësi proceduriale ligjore, duke e miratuar aktin dhe në tërësi, megjithëse në atë kohë kishte filluar hapja e kutive. Gjatë ditës së djeshme, kreu i KQZ-së është shoqëruar gjatë gjithë kohës nga 5 truproje, edhe brenda sallën së mbledhjeve ku u numëruan votat që përmbysin rezultatin paraprak në Tiranë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›