Nis ndarja e dëmshpërblimit për ish-të përndjekurit politikë
Kryetarja e Kuvendit Jozefina Topalli ka njoftuar nisjen e shpërndarjes së dëmshpërblimit për ish-të përndjekurit politikë në fillim të muajit mars, por edhe ndryshimin e ligjit, në mënyrë që të përfitojnë edhe pasardhësit e të të pushkatuarve pa gjyq, si dhe ata që nuk kanë lënë pasardhës, si klerikët apo të tjerë. Deklarata u mbajt në Shkodër, në ceremoninë e çeljes së ekspozitës “M’shirë o Zot, se kam gabue”, kushtuar gjenocidit ndaj klerikëve katolikë
TIRANE - Nga qyteti i Shkodrës, Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli deklaroi dje se javën e ardhshme do të fillojë procesi i dëmshpërblimit të të persekutuarve politikë. Lidhur me këtë çështje, ajo u shpreh se “Është një detyrim, që ne e kemi pasur dhe një premtim që ne po e mbajmë. Në ditët e ardhshme fillon menjëherë shpërndarja e dëmshpërblimit për të persekutuarit e regjimit komunist. Paralelisht, në komisionin parlamentar të ligjeve, ne do të kalojmë edhe një amendim të ligjit, duke u dhënë të drejtën e dëmshpërblimit, pasardhësve të të pushkatuarve pa gjyq, si dhe familjarëve të të dënuarve, që nuk kanë lënë pasardhës, si klerikët apo të dënuar të tjerë”.
Premtimin e saj Kryetarja e Kuvendit e bëri gjatë fjalës së mbajtur në çeljen e ekspozitës, me karakter historik, e titulluar “M’shirë o Zot, se kam gabue”, e cila është hapur në mjediset e Katedrales së Shkodrës në përkujtim të gjenocidit komunist ndaj klerikëve dhe objekteve të kultit. Në këtë vizitë, kryeparlamentarja Jozefina Topalli, shoqërohej edhe nga Ministri i Arsimit, Fatos Beja.
“Për çdo qytetar, çdo burrë e grua që ka jetuar në periudhën e diktaturës, në mënyrë të veçantë, për ata që kanë marrë vendime, që kanë shkaktuar tortura, persekutime, në biruca e burgje në të gjitha qytetet e Shqipërisë, “mea culpa” është e domosdoshme. Ne duhet të shohim nga e ardhmja, për të mos harruar kurrë çfarë ka ndodhur”.
Me këtë mesazh iu drejtua Kryetarja e Kuvendit, pjesëmarrësve në çeljen e ekspozitës, me karakter historik, hapur në mjediset e Katedrales së Shkodrës në përkujtim të gjenocidit komunist ndaj klerikëve dhe objekteve të kultit.
“Unë falënderoj organizatorët e kësaj ekspozite, e cila është një tjetër dëshmi rrënqethëse në fakt, jashtëzakonisht prekëse për atë që çfarë ka qenë periudha 50-vjeçare e diktaturës. Periudhë, jo vetëm e ndaljes së kohës për Shqipërinë e shqiptarët po e një ndër periudhat që ka krijuar dhimbje të jashtëzakonshme, që ka frenuar çdo gjë që ka ekzistuar në jetën e njeriut, lirisë së tij, që ka ndaluar me ligj Zotin dhe çdo gjë tjetër që nuk mund të imagjinohet”, u shpreh më tej Kryetarja e Kuvendit Jozefina Topalli.
Ministri i Arsimit Fatos Beja, duke vlerësuar ekspozitën si një përpjekje të rëndësishme për dëshminë e një prej periudhave më të errëta të historisë së shqiptarëve, tha se, “Ne si qytetare duhet të kemi kurajën që ta shohim historinë përballë dhe të kërkojmë dëshmitë e asaj që kemi përjetuar. Kjo lidhet dhe me rëndësinë që ka kujtesa historike për brezat e sotëm dhe ata që do të vinë. Ne duhet të vlerësojmë atë ka ka ndodhur që të mos përsëritet më”.
Ekspozita e titulluar “M’shirë o Zot, se kam gabue”, sillte një kombinim të veçantë kontrasti të dokumenteve historike të kohës, me pamje filmike, fotografi, objekte dhe dorëshkrime nga vuajtjet e klerikëve katolikë e myslimanë gjatë persekutimit të pamëshirshëm nga rregjimi komunist si dhe prishjes masive të objekteve të kultit në të gjithë vendin. Një objekt i veçantë ishte libri i përshtypjeve të muzeut të vetëm ateist në botë, që regjimi komunist ngriti në Shkodër, libër që përmbante shënime dhe përshtypje të vizitorëve në vitet 1982-1990, kundër fesë dhe klerit.
Kryetarja e Kuvendit dhe pjesëmarrësit në këtë ceremoni, mes të cilëve dhe Monsingnor Anxhelo Masafra, përfaqësues të komuniteteve të ndryshme fetare, të shtresës së të persekutuarve etj, përcollën me emocion, ekspozimin e dhjetëra fotove, dokumenteve, dhe dorëshkrimeve tronditëse nga kalvari i gjatë i persekutimit të klerit katolik, i proceseve në hetuesi dhe të dëbimeve të emrave të spikatur si Patër Anton Arapi, Patër Mushkalla.
Gjatë periudhës së diktaturës komuniste mbi 25 klerikë katolikë nga rrethi i Shkodrës u ekzekutuan, ndërsa dhjetëra të tjerë u dënuan më shumë vite burg, internime e kampe pune.
E ndodhur në mjediset e ekspozitës së çelur në Katedralen e Shkodrës, Kryetarja e Kuvendit i është përgjigjur interesimit të medias mbi pezullimin e ligjit të lustracionit, si dhe konfliktit të lindur së fundmi me Gjykatën Kushtetuese e cila ka ngrirë momentalisht ligjin e lustracionit.
Lidhur me këtë konflikt Topalli ka pohuar se “Pa dyshim. Kjo është shkruar dhe në letrën drejtuar Gjykatës Kushtetuese. Por është detyra jonë, që duke qenë besimtarë të mëdhenj të shtetit ligjor duhet të ecim përpara pa menduar se mund të tërhiqemi nga ‘mea culpa’, nga bërja e transparencës dhe nga kërkesa se në postet kyçe të disa segmenteve të shtetit mos kemi njerëz me të kaluar që kanë shkaktuar të tilla tmerre”.