Serenata napolitane, tingujt e dashurisë në Akademinë e Arteve
Petrika GROSI- Pasditen e djeshme këngët napolitane të dashurisë kanë mbushur me ngrohtësi ambientin e Akademisë së Arteve të Bukura në Tiranë. Tenori italian, Pietro Kuirino (Quirino), i shoqëruar nga kuarteti “Calace”, dhanë një eskurs historik të këngës napolitane, duke nisur që nga muzika klasike, deri te tradita etnike dhe periudhën moderne me këngët e kantautorit. Kështu, publiku ka udhëtuar në periudha të ndryshme muzikore dhe historike të këngës napolitane, të cilat përfaqësohen nga këngë si tarantela napolitane, “Funiçuli, funiçuli”, “O sole mio” etj. Tenori i njohur i këngës napolitane shoqërohej nga artistët Xhovani Del’Aversana (Giovanni Dell’Aversana), Mikele De Martino, Agostino Oliviero dhe Edoardo Konverso. Sjellja e këtyre artistëve është realizuar falë Institutit Italian të Kulturës, në bashkëpunim me AA-në. Dhe, teksa përmendim traditën, serenatat e dashurisë dhe historinë e muzikës, natyrisht që një lexues i vëmendshëm do të pyeste mes të tjerash se cili ka qenë historiku i këngës napolitane? Po serenatat, apo e famshmja tarantela napolitane si lindi?
Historia e tarantelës napolitane
Tarantela napolitane lindi natyrisht në Napoli, në fillim të viteve ‘700. Ishte dashuria ajo që bëri të lindte kjo muzikë. Në atë kohë çiftet mund të njiheshin vetëm në takime familjare apo festa të mëdha dhe mes tyre kishte vetëm dashuri platonike gjatë kohës së lidhjes. Ishte mjaft e vështirë për të rinjtë që të kishin kontaktet dhe takimet e ditëve të sotme dhe kjo mund të merret lehtë me mend nga të gjithë. Më së shumti ata mund të shkëmbenin shikime dhe ndonjë buzëqeshje. Prindërit, duke nuhatur simpatitë reciproke mes fëmijëve të tyre, organizonin festa të vogla duke pirë e duke kërcyer dhe që përfundonin me fejesa. Por duhet theksuar se në fund të këtyre festave nuk mungonte asnjëherë atmosfera e krijuar nga tarantela, ndonëse asokohe nuk mungonte në asnjë familje një mandolinë dhe një tambur.
Më tej, mjeshtri i madh napolitan, Rafaele Donaruma, muzikoi të parën tarantelë. Nga dora në dorë, tarantela erdhi duke u pasuruar në drejtime të ndryshme në kuadrate. Kështu, çiftet mund të kapeshin përdore kur kërcenin dhe nga intensiteti i shtrëngimit të duarve kuptonin dhe i shfaqnin pasionin ose mungesën e tij njëri-tjetrit. Ndodh edhe sot që çifte balerinësh të tarantelës të ftohen në rastet e dasmave. Në këtë mënyrë lindën shumë lloje tarantelash si tarantela luciane, tarantela internacionale, tarantela siciliane, kalabreze, sorrentine etj.
Instrumentet
Në tarantizmin modern instrumentet muzikore janë të pakta dhe gjithmonë të njëjtat; violina, tamburi dhe organetoja, por në literaturë ndeshim mjaft instrumente të tjera. Tarantula napolitane mban të alternuar disa tipa të ndryshëm instrumentesh muzikore frymore, me tela dhe perkursion. Daullja ka qenë që në fillimet e tarantelës pjesë e pandashme e muzikës dhe kërcimit të saj. Daullja, në fakt, mbahet më shpesh nga femrat, pasi simbolizon organin gjenital femëror, megjithatë, ajo përdoret në të rrallë dhe nga meshkujt ose fëmijët.
Interpretimi
Këngët që shoqërojnë tarantelën napolitane përmbajnë një bërthamë ?????????????metamorfikisht erotike dhe sensuale. Fakti që e gjitha kjo shoqërohet duke pirë verë e bën atmosferën edhe më të nxehtë. Sa i përket vallëzimit, tarantela kërcehej nga populli i Napolit dhe nga provincat në raste të veçanta. Gjatë viteve ‘700 dhe në gjysmën e parë të ‘800-s në gjithë Europën u hap moda e udhëtimit drejt Italisë. Napoli ishte një vend i rëndësishëm i traditës dhe kulturës italiane, kështu që edhe tarantela karakteristike e tij nuk mund të mos tërhiqte ndjeshëm vëmendjen e turistëve.
Transformimi
Duke u zhvilluar shumë më tepër nga tarantizmi i shek. XVII, tarantizmi i shek. XVIII u shndërrua në një danc të vërtetë. Tarantela kërcehej që nga balerinët profesionistë, deri te marinarët dhe fshatarët. Gjatë zhvillimeve të shek. XIX ky lloj vallëzimi ndryshoi sërish destinacion duke u përdorur si danc sallonesh, ku mblidhej borgjezia napolitane. Më tej tarantela u përhap edhe në mjediset kriminale të prostitucionit dhe të spektaklit erotik kundrejt pagesës. Në shek. XX spektakli ndryshoi dhe tarantela u konsiderua si e mirë kulturore, si pasuri e trashëguar folklorike që mund dhe duhet vënë në dukje sa më shumë në të gjitha rastet që të jetë e mundur.
27 Shkurt 2009