E Shtunë, 31 Tetor 2026

Balta e Edvinit nuk mbulon dot vlerësimet e Uashingtonit për kabinetin “Berisha”

Reagon zëdhënësi i grupit parlamentar në PD, Aldo Bumçi Kryesocialisti është shndërruar dje në një mitraloz baltosjeje, por pa mundur të errësojë vlerësimet e raportit të Departamentit të Shtetit, lidhur me ndryshimin e kulturës qeverisëse në Shqipëri dhe mospërsëritjen e fenomeneve të tilla si krimet me karakter politik apo shkelja e lirisë së fjalës dhe e medias


TIRANE - Zëdhënësi i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Aldo Bumçi në kundërpërgjigje të deklaratave të kreut të PS-së, Edi Rama, lidhur me raportin e fundit të Departamentit të Shtetit, deklaroi se “Rama në rolin e krycensuruesit të medias në vend, si njeriu që blen dhe shet gazetat, që censuron tërësisht jo vetëm qeverinë në mediat e kontrolluara prej tij, por edhe opozitën që nuk e rreshton dot, doli dhe lexoi me syzet e censuruesit raportin e DASH”. Sipas deputetit demokrat Bumçi, raporti i DASH konfirmon se qytetarët mund të kritikojnë publikisht pa pasoja qeverinë, nuk ka pasur tentativa publike nga qeveria për të ndikuar median në kritikat ndaj saj, raporti konfirmon se stacionet e radio-televizioneve kanë operuar të lira nga ndikimi i qeverisë, dhe gjithashtu se nuk ka pasur padi civile ndaj gazetarëve dhe të vetmin akt dhune që paraqitet ndaj një gazetari është dhuna e ushtruar nga deputeti i Partisë Socialiste dhe miku i tij, Tom Doshi. “Edi Rama përpiqet të fshijë të gjitha këto vlerësime dhe t’i atribuojë qeverisë ato që ai vetë është përgjegjësi kryesor në botën mediatike shqiptare. Është ai që blen dhe shet pronarët e medieve me troje ndërtimi, është ai që shkarkon dhe emëron drejtuesit e lajmeve të medieve të kontrolluara prej tij, është ai që përdor sheshet dhe lejet e ndërtimi për të vendosur censurë mbi radiot, televizionet dhe gazetat e vendit”, u shpreh Bumçi. Për sa i takon komentit që bën për ligjin e lustracionit, zëdhënësi i grupit parlamentar në PD, Aldo Bumçi tha se “edhe njëherë fakton se ai është Mr. Dosja se me qëndrimin e tij veçse mbron arkivin e ekzekutimit dhe varjeve që mbajnë firmat e familjarëve të tij më të afërt”. “Ndërsa porsa i takon raportit të DASH dëshirojmë të theksojmë se për këtë shumicë qeverisëse problemi i lirisë përbën përparësinë më madhore, e cila është një proces i vazhdueshëm zgjerimi dhe përmirësimi. Liri është shtylla më madhore e programit të qeverisë dhe shumicës së parlamentarëve”, vuri në dukje deputeti i Partisë Demokratike, Aldo Bumçi.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›