E Shtunë, 31 Tetor 2026

Nis ndërtimi i autostradës Morinë - Merdare

TIRANE-Inagurohet sot fillimi i punimeve për ndërtimin e autostradës Morinë-Vermicë-Prizren-Merdar e cila është cilësuar si projekt madhor nga autoritetet në Kosovë dhe Shqipëri.

Në ceremoninë festive me rastin e fillimit të punimeve pritet të marrin pjesë: kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, homologu i tij shqiptar, Sali Berisha, ministri i Transportit shqiptar, Sokol Olldashi, ai i Transportit dhe Post-Telekomunikacionit të Kosovës, Fatmir Limaj, deputetë të Kuvendit të Kosovës, ministra dhe zyrtarë të tjerë shtetërorë, përfaqësues të partive politike, përfaqësues të komunave dhe ata të institucioneve ndërkombëtare në Kosovë.

Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, ka vlerësuar se ndërtimi i autostradës Morinë-Merdare do ta ketë efektin e vet jo vetëm për Kosovën, por për gjithë rajonin dhe proceset integruese evropiane.

Duke e vlerësuar si shumë transparent procesin e ndërtimit të autostradës që lidh Kosovën me Shqipërinë, Thaçi ka thënë se ajo krijon mundësi të daljes në det për Kosovën.

Ndërkohë javët e fundit Qeveria e Kosovës i dha zgjidhjen përfundimtare shpronësimeve në zonën që prek rruga me anë të një vendimi për lëvrimin e fondit pasi u përcaktua edhe gjurma që do të ndjëkë rruga.
Disa media dhe ekspertë ndërkombëtarë kanë kritikuar qeverinë e Kosovës se po e fillon ndërtimin e rrugës pa siguruar financimet e nevojshme.

Projekti, i cili kushton 700 milionë euro është nënshkruar mes Qeverisë së Kosovës dhe konsorciumit amerikano turk “Bechtel & Enka” pritet te zgjase 3 vjet, dhe pritet të punësohet një numër i konsiderueshëm i kosovarëve. Autostrada parashikohet të jetë e gjerë 28 metra, me 4 shirita qarkullues.

Duke u lidhur me rrugen Durres - Kukes, autostrada qe po ndertohet në Kosovë mbulon ciklin e plotë të levizjes nga Kosova në Shqipëri.
(s.g/europaelire/BalkanWeb)

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›