E Diel, 1 Nëntor 2026

Nis ndertimi i 5 rrugeve ne Selite te Tiranes

Bashkia e Tiranës ka përqëndruar vëmendjen dhe investimet në një tjetër zonë të harruar të kryeqytetit. Me një investim prej rreth 60 milionë lekësh, ka nisur sot ndërtimi i rrugës “Qemal Butka” dhe katër segmenteve të tjera lidhëse me këtë rrugë, në zonën e Selitës, njësia bashkiake nr.5. Një zonë e lënë plotësisht në harresë, e mbuluar nga balta dhe me infrastrukturë që nuk e gjen sot, as në zonat më të thella të vendit. Kryetari i Bashkisë së Tiranës Lulzim Basha ka inspektuar sot nisjen e punimeve, për ndërtimin e 5 rrugëve në zonën e Selitës.

“Shpresoj ta keni fiksuar në kamera dhe nëse nuk ju bie më rasti të ktheheni, ta ruani nëpër arkiva sepse do të jetë e denjë për arkiva, për të parë se në çfarë kushtesh kanë qenë këto pjesë të qytetit deri në vitin 2012, deri 100 vjet pas shpalljes së Pavarësisë. Kur të riktheheni pas 10 muajsh, ndoshta edhe më shpejt, kur kontraktori të ketë përfunduar punimet edhe këtë pjesë të qytetit të Tiranës, do te shihni atë standart që ne premtojmë dhe zbatojmë sot anembanë qytetit, të një Tirane me infrastrukturë nëntokësore, kanalizime, ujësjellës, me vende rezervë për kabllo optikë dhe telefonisë, me ndriçim, me 150 fidanë gjelbërim për të gjithë këtë bllok dhe natyrisht me paketat e plota të asfaltit. Qytetarët e rinj apo të vjetër të kësaj zone, kur të dalin nga shtëpitë e tyre, do t’u shkelë këmba qytet dhe jo në reminishencat më të prapambetura të fshatit shqiptar, të para shumë viteve. Në këtë mënyrë, ne unifikojmë standartin qytetar dhe përparojmë me standartin modern dhe evropian, në çdo pjesë të Tiranës” – u shpreh Kryebashkiaku Basha.

Rruga “Qemal Butka” është rrugë me gjatësi 402 ml, parashikohet të jetë me gjerësi totale të shtresave asfaltike 5 m dhe me trotuarë;

Rruga “Tafil Agai” është rrugë me gjatësi 117 ml, parashikohet të jetë me gjerësi totale të shtresave asfaltike 4.5 m dhe me trotuarë;

Rruga “Dhimitër Pasko” është rrugë me gjatësi 96 ml, parashikohet të jetë me gjerësi totale të shtresave asfaltike 4.5 m dhe me trotuarë;

Rruga “Gjerasim Qiriazi” është rrugë me gjatësi 263 ml”, parashikohet të jetë me gjerësi totale të shtresave asfaltike 4 m dhe me trotuarë në të dy anët nga 1 m;

Rruga “Jaho Gjoliku” është rrugë me gjatësi 142 ml, parashikohet të jetë një rrugë me gjerësi totale të shtresave asfaltike 3 m dhe trotuarë;

Ashtu si edhe në investimet e tjera në infrastrukturën e kryeqytetit, edhe në këtë zonë do të bëhet zëvendësimi i mureve rrethuese të shtëpive, me kangjella.

“Uroj që përmirësimi i cilësisë së jetës për banorët e kësaj zone, për familjarët, fëmijët, vogëlushët por edhe të moshuarit, të jetë efekti i parë dhe i drejtpërdrejtë i përfitimit nga ky investim i Bashkisë së Tiranës dhe së dyti, kjo zonë të shërbejë si model për investimet e tjera që do të ndjekin periferitë e qytetit, të cilat në aspekte të infrastrukturës aktuale, në shumë raste ngjasojnë me këtë zonë të lënë në harresë prej shumë vitesh” - theksoi z. Basha.

Kjo zonë do të përfitojë edhe nga Unaza e Re e qytetit, pikërisht segmenti nga Qendra “Kristal”, deri tek Shkolla Teknologjike, projekt i cili nis nga zbatimi, brenda pak javësh. Ndërtimi këtij segmenti i cili do të bashkohet me pjesën tjetër të Unazës së Madhe të qytetit do të bëjë të mundur lehtësimin e trafikut dhe një akses më të mirë në ekonominë e qytetit. Miratimi i Planit Urbanistik, sipas zotit Basha, është po kështu një shans, për të ringjallur ekonomikisht këtë pjesë të periferisë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›