Nis ndertimi i rruges Teki Selenica

Kryetari i Bashkisë së Tiranës Lulzim Basha ka inspektuar sot punimet, për ndërtimin e rrugës ”Teki Selenica”, në njësinë bashkiake nr.4. Kjo rrugë e cila përveç emrit, sot nuk ka asnjë të dhënë për të qenë e tillë, do të ketë të gjithë parametrat e duhur, kanalizime, ndriçim, gjelbërim etj.
“Tirana ka shumë punë për të bërë dhe ne për këtë arsye, me buxhetin e 2012, në vazhdim me 2013 dhe buxhetin afatmesëm do u japim përgjigje këtyre problemeve të Tiranës, çka është një punë që nuk kryhet brenda ditës por është një punë që do të kryhet patjetër. Sot, në fakt ka ardhur radha e rrugës “Teki Selenica”, me një gjatësi prej afro 800 metrash e që i shërben një komuniteti prej 4000 banorësh. Sot, siç e shikoni është vetëm një shteg, në sipërfaqen e së cilit rrjedhin ujërat e zeza pasi nuk ka asnjë kanalizim.
Rruga “Teki Selenica” do të ketë paketën e plotë të infrastrukturës nëntokësore, kanalizimet e ujërave të zeza, të bardha, ujësjellësit, trotuare në të dy anët, gjelbërim me 150 fidanë si dhe ndriçim e po ashtu, muret e vjetra rrethuese, avllitë do të zëvendësohen me një sistem kangjellash, gjithçka e parashikuar në projektin e hartuar e financuar nga Bashkia e Tiranës. Kohëzgjatja e këtij projekti është 8 muaj por kontraktori më siguroi, pa i bërë asnjë presion, se për 5 muaj do ta përfundojë” – u shpreh kreu i Bashkisë së Tiranës Lulzim Basha.
Me një investim prej rreth 40 millionë lekësh, do u kthehet edhe banorëve të kësaj zone një cilësi e munguar jete. Këto investime si dhe ato strategjike, projekte të cilat kanë përfunduar e po nisin, do ta bëjnë Tiranën - siç theksoi Kryebashkiaku Basha, një qytet modern evropian, të denjë për të konkurruar me të gjithë qendrat e tjera rajonale dhe evropiane.
“Sot, qytetarët e Tiranës janë dëshmitarë të një ndryshimi që nuk synon thjesht asfaltim apo riasfaltim por investime të qëndrueshme, afatgjata, në çdo lagje të Tiranës, kudo në shtëpitë e qytetarëve të Tiranës, me qëllim që të avancojmë në nivel kapilar, me konceptin e Tiranës moderne evropiane. Ky koncept përbëhet nga dy shtylla kryesore: këto projekte të cilat po i shikoni ditë pas dite të marrin jetë dhe që do të përfundojnë në afate kohore 6, 8, 10 apo maksimumi 12 muaj si edhe projekte strategjikë të cilat po kështu do të transformojnë tërësisht jo vetëm infrastrukturën dhe shërbimet e qytetit të Tiranës por pse jo edhe mentalitetin e qytetarëve të vjetër apo të rinj të qytetit tonë, për të kapur ato objektiva që kemi shpallur tashmë, për Tiranën si qytet modern evropian, të denjë për të konkurruar me të gjithë qendrat e tjera rajonale dhe evropiane”, u shpreh Basha.