E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Nis pelegrinazhi drejt kishës së Shën Ndout në Laç

Kisha e Shën Ndout në Laç, prej vitesh njihet si një vend i shenjtë.

Besimtarë nga e gjithë Shqipëria dhe jashtë saj e vizitojnë atë gjatë gjithë vitit.

Por më së shumti vizitorët shkojnë në Kishën e Laçit gjatë atyre që njihen si “13 të martat e shenjta”.

Ato nisin më 14 Mars dhe kulmojnë më 13 Qershor. 

Besimtarët të shumtë të rinj, fëmijë e të moshuar, zgjedhin ta bëjnë këtë rrugëtim në shenjë sakrifice në emër të besimit në Kishën e Laçit.

Ata i përkasin feve të ndryshme, muslimanë, katolikë, ortodoks, të cilët pavarësisht besimit të tyre zgjedhin të vizitojnë “vendin që bën mrekulli”.

Historitë e Kishës së Laçit janë të shumta. Disa janë të pabesueshme, disa kanë tisin e hyjnores. Por shumë njerëz këmbëngulin se ato kanë ndodhur. Veçanërisht drejt kishës shkojnë ata që kanë probleme shëndetësore me shpresë që do të shërohen.

Kisha e Shën Ndout është një kuvend dhe kishë katolike dedikuar Shën Antonit të Padovës, në Laç. E ndërtuar dhe e shuguruar për herë të parë më 1557, dhe më pas shkatërruar në 1967 nga regjimi ateist komunist, kisha u rindërtua pas rënies së këtij regjimi, për t’u kthyer në vend pelegrinazhi nga njerëzit pa dallime të besimeve fetare.  

Kisha ndodhet e veçuar në majë te malit. Pelegrinëve u duhet të përshkojnë kilometra të tëra dhe të ngjisin qindra shkallë për të arritur në majë. 

Çdo vit qyteti i Laçit bëhet vend i mikpritjes për pelegrinët që kryejnë ritet e lutjes në vendin e shenjtë të Kishës së Shën Ndout.

/ rtsh.al /

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›