E Shtunë, 31 Tetor 2026

Nis puna për monumentet e Zogut dhe Prishtinës

Në studiot e Artan Peqinit dhe Kreshnik Xhikut ka filluar puna për realizimin e monumenteve të ish- mbretit Ahmet Zogu dhe patriotit Hasan Prishtina.

Pak kohë tashmë nga 100-vjetori i Pavarësisë, kur monumentet duhet të vendosen në sheshet përkatëse, Peqini dhe Xhiku po punojnë intensivisht me orare të zgjatura.

Kreshnik Xhiku është autori i monumentit të Zogut, i cili do të realizohet në variantin ushtarak. Vepra do të jetë tre me metra e lartë, e derdhur në bronz. Ajo do të vendoset më pas në sheshpushimin në fund të Bulevardit Zogu I. Xhiku, me përvojë pedagogjike në Akademinë e Arteve në vitet 1980-’90, është autor i monumenteve të Skënderbeut të vendosur në Miçigan dhe Maqedoni.

Peqini, ashtu si dhe Xhiku, është përzgjedhur nga Komiteti Ndërministror i Festimeve të 100-vjetorit, pas konkursit për monumentin e Hasan Prishtinës, i cili do të vendoset në sheshin "Paris", ndërmjet rrugës “Mine Peza" dhe Rrugës së Durrësit. Realizimi i figurës së Hasan Prishtinës për Peqinin është një eksperiencë e dytë, ndërkohë që figura e përzgjedhur për këtë 100-vjetor e shpreh më së miri mesazhin e perceptimit artistik të autorit. Edhe monumenti i Prishtinës do të jetë tre metra i lartë dhe i derdhur në bronz.

Në lulishten në kryqëzimin e bulevardit "Dëshmorët e Kombit" dhe rrugën "Ismail Qemali" do të vendoset monumenti i Ismail Qemalit, që ndodhet aktualisht në Muzeun Historik Kombëtar, realizuar nga Odise Paskali. Kjo shtatore do të zëvendësohet në MHK me atë të realizuar nga Veli Blakçori, e cila u shpall fituese nga konkursi kombëtar për monumentin e Ismail Qemalit.

Ndërkohë që Monumenti i Pavarësisë, një punë e artistëve Visar Obrija dhe Kai Roman, do të vendoset në Parku "Rinia", me pamje nga bulevardi "Dëshmorët e Kombit", në krah të ministrisë së Mbrojtjes.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›