E Enjte, 5 Nëntor 2026

Nis punën bursa e energjisë, nesër ankandi i parë

Nga 12 prilli Shqipëria do të ketë bursën e saj energjitike, ndërsa Kosova pritet ti bashkohet në muajin shtator. Në ceremoninë e nisjes së operimit të Bursës, organizuar paraditen e 11 prillit, u lançua ankandi i parë i tregut të ditës në avancë. 

Zëvendëskryeministrja Belinda Balluku, njëherësh ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë vuri në dukje se, viti 2022 shënoi nevojën ekstreme të të pasurit të një burse për Shqipërinë dhe Kosovën.

“Ky është rrugëtim që e kemi bërë të gjithë së bashku. Ka qenë një luftë e vështirë. Ka qenë një punë 5-vjeçare e cila dukej si e pamundur, por ndërkohë viti 2022 ka shënuar nevojën ekstreme të të pasur një bursë energjetike për Shqipërinë dhe Kosovën. Ja ku jemi sot për të nisur në proces të rëndësishëm për të lancuar ankandin e parë të Alpex në ditën në avancë dhe për ti dhënë mundësi që brenda 12 muajve të arrijmë të kemi edhe 3 ankande ditore të intraday duke kompletuar këtë proces. Zyrtarisht kemi një bursë energjetike e dyta në rajon. Sot nis një hap i ri, luftë e re për krijimin e likuiditeteve që duhet të ketë kjo luftë’, tha Balluku.

Ndërsa ministrja e Kosovës për Ekonominë, Artane Rizvanolli bëri të ditur se, Kosova do të futet në Bursën e Energjisë (ALPEX) në muajin shtator.

“Presim që gjatë muajit shtator të fillojmë ankandin e parë që do të tregtohet përmes ALPEX në zonën tregtare të Kosovës dhe njëkohësisht edhe bashkimin e tregjeve Kosovë-Shqipëri”,- deklaroi Rizvanolli gjatë ceremonisë për lançimin e ankandit të parë të tregut që po zhvillohet sot në Tiranë.

Duke folur për ndikimin e pushtimit të Ukrainës nga Rusia, ajo tha se, sektori i energjisë ishte më i prekuri.

“Sektori i Energjisë ishte më i prekuri duke rritur barrën për qeveritë dhe qytetarët tanë. Në këtë kontekst është bërë më e qartë se kurrë se sa e rëndësishme është të qëndrojmë pranë njëri-tjetrit dhe vendeve me të cilat ndajmë vlerat dhe qëllimet. Qasja jonë për të adresuar krizën, si qeveri e Kosovës është fokusuar në tre drejtime, diversifikimin e burimeve të energjisë, rritjen e kursimit dhe eficencës, dhe thellimin e bashkëpunimit ndërkufitar dhe integrimin e tregut dhe një hap i rëndësishëm në këtë drejtim po bëhet sot”,- deklaroi Rizvanolli.

Sipas saj, Shqipëria dhe Kosova rritën bashkëpunimin ndërmjet tyre duke bërë që të dy vendet të mund të mbrohen nga importi i shtrenjtë i energjisë elektrike duke u kursyer rreth 50 milionë euro qytetarëve të Kosovës dhe po aq edhe atyre të Shqipërisë.

Transparenca

E pranishme ishte edhe ambasadorja Yuri Kim e cila vuri theksin tek rëndësia e themelimit të bursës. Ky projekt, nënkupton po ashtu, çmim më efikas të energjisë elektrike dhe integrim ekonomik në Europë.

Ky projekt nënkupton një çmim më efikas i energjisë elektrike, të dhëna transparente për investitorët në fushën e energjisë, përfshi zhvilluesit e energjisë së ripërtëritshme të cilët kërkojnë mundësi për të shitur në tregun e hapur”, tha ambasadorja Kim, teksa shtoi se duke përdorur sisteme tregu që pasqyrojnë tregjet e BE-së, Shqipëria do të ketë mundësi që të bashkohet me tregjet elektrike të vendeve fqinje dhe për të tërhequr investimet e huaja.

Çmimi i ankandit te pare

Bursa Shqiptare e Energjisë ka nisur listimin e anëtarëve, ku të parat janë bërë pjesë e saj kompanitë publike të sektorit. Përmes bursës do të ofrohet fillimisht tregu i energjisë i ditës në avancë dhe pas një viti edhe tregu brenda ditës.

Në ankandin e parë u paraqit çmimi mesatar dhe volumet e tregtuara. Çmimi mesatar i shitjes së energjisë për 24 orët e ardhshme rezultoi 130.98 euro /MWH ndërsa volumet e shitura janë 7146.2 MWH

Propozimi i ALPEX

Në mbledhjen e 7 prillit, Enti Rregullator i Energjisë miratoi në mbledhjen e Bordit, propozimin e ALPEX dhe njësinë kohore të Tregut, sipas së cilës pas orës 00:00 të 12 prillit, nis dita e fillimit të tregtimit të energjisë në Bursë.
Bursa do të krijojë kushtet për një treg transparent dhe do të hapë mundësi për zgjerimin me bashkimin e tregjeve të energjisë elektrike me rajonin dhe atyre të Bashkimit Evropian. Por si fazë e parë, ky bashkim tregjesh të energjisë elektrike do të nisë me Kosovën.

Sipas rregullores, ALPEX-i mund të zgjasë Kohën e Mbylljes së Portës së Tregut të Ditës në Avancë për të mbajtur kushte të rregullta tregtimi. Koha e Mbylljes së Portës së Tregut të Ditës në Avancë mund të zgjatet për arsye që lidhen me disponueshmërinë e ETSS-ës, Librin e Urdhërporosisë Lokale, si dhe për arsye që lidhen me Ndarjen e Plotë të Tregjeve.

/rtsh.al/

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›