E Hënë, 2 Nëntor 2026

Nis regjistrimi i emigrantëve! Nga sot qeveria dhe institucionet nuk kryejnë dot veprimtari që ndikojnë te zgjedhjet

11 janari shënon nisjen e procesit të regjistrimit të diasporës. Emigrantët duhet të ndjekin hapat e përcaktuar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve për të patur mundësi të shprehin vullnetin e tyre në 11 maj.

Ndërkohë, nga sot deri ne ditën e votimeve,  qeveria e parlamenti nuk mund të miratojnë asnjë vendim apo ligj që sjell rritje pagash e pensionesh, nuk mund të japin shpërblime apo bonuse, nuk mund të ulin taksat si dhe nuk mund te bëjnë asnjë privatizim.

Kodi Zgjedhor detyron shumicën qeverisëse që 4 muaj para zgjedhjeve të mos marrë asnjë vendim që sjell përfitime për një shtresë të shoqërisë duke ndikuar në vendimin e qytetarëve se cilën forcë politike do të votojnë në 11 maj.

Për këtë qëllim institucioneve shtetërore nga sot u ndalohen edhe reklamat përvec atyre që kanë lidhje me ndërgjegjësimin e qytetarëve për procesin e votimit.

Kodi Zgjedhor parashikon edhe disa masa të tjera  për të frenuar përdorimin e pushtetit për qëllime elektorale.

Çdo institucion nga kryeministria deri te bashkitë duhet të raportojnë në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve  çdo aktivitet publik  dhe KQZ nëse vlerëson se ky aktivitet përbën keqpërdorim të burimeve shtetërore vendos anulimin e tij dhe ndalon mediat ta transmetojnë./vizionplus.tv

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›