E Diel, 1 Nëntor 2026

Nis rikualifikimi urban i qendrës së Kinostudios

Me një investim prej 173.5 milionë lekësh ka nisur rikualifikimi urban i bllokut 91, qendrës së Kinostudios dhe sheshit Kinostudio. Ky investim i cili pritet të përfundojë  brenda 12 muajsh do tu shërbejë rreth 8000 banorëve të kësaj zone, të cilët kanë mbi 40 vjet që nuk shikojnë investime, siç bënë të ditur banorët e zonës.

Blloku i Kinostudios ku ndodhemi sot është jo vetëm shtëpia e mbi 8000 qytetarëve të Tiranës, por edhe një qendër e rëndësishme dhe sipas planit urbanistik të sapo miratuar dje nga Kryeministri Berisha, një pol i rëndësishëm zhvillimi, në veçanti për  industrinë kinematografike, mediat por edhe artin dhe kulturën si dhe për një sërë industrish të tjera punëdhënëse. Kthimi i vëmendjes tek ky bllok i cili jo vetëm është shtëpia e mbi 8000 qytetarëve të Tiranës por është edhe një zonë ku gjatë ditës kemi mbi 20 mijë qytetarë që kryejnë aktivitetet e tyre të përditshme, është mbajtje e premtimit dhe në të njëjtën kohë është edhe angazhimi ynë, për ti shtrirë investimet në çdo cep të qytetit u shpreh kryetari i bashkisë së Tiranës Lulzim Basha.

Projekti parashikon ndërtim të sistemit të ujësjellësit dhe kanalizimeve të ujërave të zeza e të bardha, vendosjen e 147 shtyllave për ndriçimin rrugor, mbjelljen e 396 pemëve dhe shkurreve dekorative dhe vendosjen e mbi 36 stolave, spostim të linjave elektrike dhe telefonisë, ndërtim mur dekorativ. Do të ndërtohet sistemi i vaditjes për sipërfaqet e gjelbra, për ndërtimin e shatërvanit etj.

Kryebashkiaku Basha tha se kjo është nisja e fazës së punimeve në rreth 30 blloqe anembanë qytetit.

Është nisja e fazës së punimeve për 30 blloqe të tilla anembanë qytetit të Tiranës, me një investim total me mbi 80 milionë euro, ku të paktën gjysma e fondeve garantohen nga Bashkia e Tiranës dhe gjysma tjetër nëpërmjet qeverisë së Kryeministrit Berisha dhe Fondit të Zhvillimit Rajonal, për të cilin gjej rastin të falënderoj qeverinë shqiptare. Përkrahja me fonde nuk ka munguar as në të kaluarën, as para dy vitesh. Ajo që ka munguar është dëshira për bashkëpunim, në interes të qytetarit. Sot, kjo dëshirë dhe ky vullnet është evident. Ne po bashkëpunojmë me qeverinë shqiptare për investime si ky dhe investime të tjera të mëdha anembanë qytetit. Është në dorë të qytetarëve të Tiranës, të vendosin që ky bashkëpunim të vazhdojë për të mirën e tyre, për interesin e qytetit të Tiranës, për interesat e qytetarëve të Tiranës dhe unë jam i bindur se kështu do të vendosin theksoi kreu i Bashkisë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›