Zgjedhjet, 12 besnikët e Mulit që kanë në dorë fatin e kutive të votimit
Pak muaj më parë, ndryshimet në strukturën e Policisë së Shtetit nuk është se ranë fort në sy.
Për herë të parë pranë drejtorive të qarqeve u krijua pozicioni i zv/drejtorit të Rendit dhe Sigurisë.
E ndërsa ndryshimet u bënë në fund të vitit të shkuar, skema e re nuk është se ra fort në sy, jo vetëm për faktin se asokohe zgjedhjet ishin larg, por shifrat alarmante të krimit duket se e justifikonin ngritjen e kësaj strukture.
Por pikërisht kjo strukturë, rendi dhe siguria, që është nën vartësinë e zv/drejtorëve të Drejtorive të Policisë në qarqet, do të jetë përgjegjëse për administrimin e zgjedhjeve më 23 qershor.
12 zv/ drejtorët e policive kanë trupat e tyre dhe e gjithë struktura është në vartësinë e zv/drejtorit të Përgjithshëm të Policisë, Muhamet Rrumbullaku, i cili prej një muaji po merret me trajnimin e policave që do të jenë me shërbim në ditën e zgjedhjeve.
12 besnikët
Prej një muaji, zv/drejtori i Policisë së Shtetit, Muhamet Rrumbullaku po shkon në çdo qytet të vendit, për të trajnuar efektivat e policisë që do të jenë në shërbim ditën e zgjedhjeve.
Ndërkohë, në fund të vitit të shkuar, në të gjithë drejtoritë e qarqeve të Shqipërisë u bënë ndryshime, kryesisht në nivelin e zv/drejtorëve pikërisht të departamenteve të rendit dhe sigurisë. Në ato kohë, ndryshimet nuk u komentuan, por sot këta janë 12 drejtuesit e lartë të policisë që kanë përgjegjësi direkte dhe do të menaxhojnë efektivat e policisë në ditën e zgjedhjeve. Kështu 12 zëvendësdrejtorët e emëruar njihen, jo vetëm si besnikë të Ministrit të Brendshëm, Flamur Noka, por kryesisht kanë bërë karrieerë në Policinë e Shtetit pas vitit 2008.
Kështu në drejtorinë e qarkut të Policisë së Tiranës, sa i përket administrimit të procesit zgjedhor, përgjegjës do të jetë Erzen Breçani, që aktualisht mban dhe postin e zv.drejtorit. Ndërsa në Durrës është Asllani Shyti, i cili deri në vitin 2011 ka pasur pozicionin e një shefi komisariati.
Në Vlorë, njeriu që do të komandojë efektivat e policisë në ditën e zgjedhjeve është Elidon Veizi, karriera e të cilat ka shkëlqyer pas vitit 2008.
Në Gjirokastër, në postin e zv/drejtorit për rendin dhe sigurinë është emëruar Roland Çamo, i cili deri dy vjet më parë mbante gradën e nënkomisarit.
Ndërsa në qytetin e Lezhës, njeriu që do të ketë nën urdhra efektivat e policisë është Eduart Cako, i cili është aq i depolitizuar sa në vitin 2005 ka qenë kandidat i Partisë Demokratike.
Në Shkodër, zv/drejtor për rendin dhe sigurinë është emëruar Vladimir Dubraku, për të cilin askush nuk di të thotë meritat që kanë Policinë e Shtetit, por më së shumti njihet si njeri i katapultuar pas ardhjes së Partisë Demokratike në pushtet.
Në qarkun e Elbasanit, i cili konsiderohet ndër zonat ku beteja elektorale mes dy forcave politike, PD-së dhe PS-së do të jetë e ashpër, njeriu që do të ketë një rol kyç në procesin zgjedhor është Gjelosh Prendi. Nëndrejtori i policisë së këtij qarku, meritë të vetme në Policinë e Shtetit, ka të qënurit truprojë e Bujar Nishanit, në kohën që ky ishte në Ministrinë e Brendshme. Në qarkun e Korçës, zv/drejtor është emëruar Kosta Naço, i cili dhe pse mban gradën drejtues I, nuk njihet si një polic karriere ndër radhët e uniformave blu.
Ndërsa në qarkun e Beratit, Ministri i Brendshëm ka emëruar në pozicionin e zv/drejtorit, Ridvan Llulin, i cili deri para vitit 2007 ka qenë pjesë e forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë, ndërsa Bashkim Shehu është zv/drejtori që do të menaxhoje situatën në qarkun e Kukësit.
Pikërisht këto 12 burra, të njohur si policë që kanë bërë karrierë pas vitit 2008, dhe si besnikë të drejtuesve të Ministrisë së Brendshme dhe kupolës drejtuese të Policisë së Shtetit, nën drejtimin e Muhamet Rrumbullakut do të menaxhojnë dhe mbikëqyrin procesin zgjedhor nga incidentet deri tek transporti i kutive të votimit në qendrat e numërimit të votave.
