Nis seanca plenare, Topalli: Reformat, kryefjalë e punës sonë

Parlamenti i rikthehet sot jetës aktive, pas pushimeve të verës. Pas një ndërprerje gati një mujore, deputetët janë ulur sot në sallën e Kuvendit, në seancën e parë për këtë sesion parlamentar.
Në fjalën përshëndetëse, kryetarja e Kuvendit Jozefina Topalli theksoi se reformat do të jenë kryefjalë e punimeve të Kuvendit të Shqipërisë. “Falë reformave të ndërmarrë gjatë këtyre viteve Shqipëria ka ecur përpara prandaj dhe reformat do të jenë në axhendën tonë parlamentare si në këtë legjislaturë ashtu edhe në tjetrën” tha Topalli.
Në fjalën e saj, gjithashtu Topalli i ka bërë apel opozitës të votojë ligjet që janë kërkuar nga Brukseli për integrimin e vendit në BE.
“Shqiptarët meritojnë përgjigje pozitive për marrjen e statusit dhe që kjo të ndodhë duhet të jemi të bashkuar, disa ligje kërkojnë votim me shumicë të cilësuar. Miratimi i tyre janë detyrat që BE i ka dhënë vendin tonë. Disa nga këto nuk panë dritën jeshile gjatë seancës së fundit, pa opozitën nuk mund të miratohen, miratimi i tyre janë kusht i integrimit, pa votën e kolegëve disa nga kushtet nuk përmbushen, shqiptarët nuk shpërblejnë as bojkotuesin, as bllokuesin, interesi i fëmijëve të shqiptarëve është më i madh se ai i cilitdo politikan” tha kryeparlamentarja Topalli.
Sipas saj, deputetët duhet të jenë të bashkuar për të përmbushur ëndrrën e shqiptarëve, integrimin e vendit. Duhet të jemi të bashkuar në veprim e jo vetëm në fjalë, të bashkuar në votë pa hile. Duhet të votojmë dhe kjo është në dorën tone. Duhet të bëjmë një tjetër hap drejt Evropës” tha Topalli.
Punimet e Kuvendit do të vijojnë më pas me miratimin e programit të punës së Kuvendit për periudhën 2 shtator-31 tetor 2012, si dhe kalendarit trejavor të punimeve për periudhën 3-21 shtator 2012.
Kalendari trejavor, i miratuar me konsensus nga Konferenca e Kryetarëve, përfshin dhe shqyrtimin e nismës së Partisë Socialiste për ndryshimet kushtetuese, e cila do të diskutohet më 6 shtator nga Këshilli i Legjislacionit.
Ndërkohë sfida e këtij fillim sesioni parlamentar pritet të jetë heqja e imunitetit të zyrtarëve të lartë, riformatimi i Komisionit Qëndror të Zgjedhjeve dhe projektligji "për Gjykatën e Lartë".