E Diel, 1 Nëntor 2026

Nis sulmi mbi Libinë, avionët francezë godasin forcat e Gadafit

Një aeroplan luftarak francez sot rreth orës 16 e 45 minuta ka hapur zjarrin kundër forcave të Gaddafit në Libi, ka njoftuar zëdhënësi i Ministrisë së Mbrojtjes së Francës Tiery Burkar, raporton AP. Ai ka saktësuar se sulmi ka ndodhur rreth orës 16:45 sipas kohës së Evropës së Mesme. Çak i sulmit të parë të avionit francez ishin automjetet ushtarake, por nuk është saktësuar se për cilat bëhet fjalë. Agjensitë botërore njoftojnë se për në Libi tashmë janë nisur edhe aeroplanët luftarak britanik.
Aeroplanët luftarakë francezë kanë hyrë para disa orësh në hapësirën ajrore të Libisë për të parandaluar sulmet nga forcat e Gaddafit ndaj bastionit të kryengritësve në qytetin Benghazi. Ndërkohë Gaddafi u ka dërguar një letër liderëve botërorë ku i kërcënon se do të pendohen nëse vendosin ta sulmojnë Libinë.
Përfaqësuesit më të lartë të Bashkimit Evropian dhe të atij Afrikan, të Kombeve të Bashkuara dhe të Ligës Arabe kanë zhvilluar konsultime në Paris, lidhur me hapat e tjerë kundër regjimit në Libi.
Në një konferencë shtypi, menjëherë pas këtij takimi, presidenti francez Nicolas Sarkozy ka deklaruar se aeroplanët luftarakë francezë kanë hyrë në hapësirën ajrore të Libisë, për të parandaluar sulmet nga forcat e Gaddafit, veçanërisht kundër qytetit Benghazi, ku njoftohet se ka pasur luftime të ashpra gjatë ditës.
Sarkozy ka theksuar se kolonel Gaddafi ka shumë pak kohë në dispozicion për t`u dhënë fund sulmeve ndaj kryengritësve në vend. “Forcat tona ajrore do të kundërshtojnë çdo agresion”, ka thënë presidenti francez.
Ndërkohë televizioni Al-Jazeera ka njoftuar se në spitalin e qytetit Bengazi janë pranuar 26 trupa të pajetë dhe më shumë se 40 të plagosur nga bombardimet në qytet.
Ndërkohë një aeroplan i forcave të Gaddafit është rrëzuar, kurse luftime ka pasur edhe në Misrata, në perëndim të vendit.
Megjithëse të premten, zyrtarisht, Libia ka njoftuar fundin e menjëhershëm të luftimeve dhe ministri i Jashtëm libian Mussa Kussa është shprehur se vendi i tij e pranon rezolutën e Kombeve të Bashkuara, duket se armëpushimi nuk është respektuar.
 

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›