Nis viti i ri akademik në 42 universitet e vendit

Nis sot viti i ri akademik 2011-2012 në 42 universitetet në të gjithë vendin. Rreth 23 mijë studentë, do të ulen për herë të parë në 11 universitetet publike të vendit për të ndjekur ciklin e parë të studimeve me kohë të plotë. Ndërsa në total për këtë vit akademik janë rreth 34 500 vende studimi (kuota) për nivelin e parë të studimeve universitare (Bachelor) në universitetet publike.
Ditën e djeshme ministri i Arsimit Myqerem Tafaj uroi studentët dhe pedagogët me rastin e nisjes së vitit të ri akademik 2011-2012.
“Tani të gjithë së bashku përballemi me një sfidë tjetër më të vështirë dhe afatgjatë, rritja e cilësisë dhe krijimi i kulturës së nevojshme për vlerësimin e cilësisë në çdo institucion të arsimit të lartë në Shqipëri”.Ju jeni faktori kyç edhe në këtë përballje”.
“Cilësia kërkon më shumë auditore, laboratorë biblioteka dhe kapacitete të tjera dhe qeveria është e angazhuar për rritjen e investimeve në arsimin e lartë, ajo i ka akorduar kampuse 5 universiteteve publike në vend”, theksoi në fjalën e tij Tafaj.
Në total në këtë vit akademik sistemi i arsimit të lartë publik do të pranojë rreth 52 mijë studentë të rinj në të tre ciklet e studimeve, shifër kjo që është e barabartë me numrin total të studentëve që kishte Shqipëria në vitin 2004.