Tafaj uron studentët për vitin e ri akademik

Ministri i Arsimit, Myqerem Tafaj, uroi studentët dhe pedagogët me rastin e nisjes së vitit të ri akademik 2011-2012.
Sipas Tafajt deri tani janë regjistruar rreth 23 mijë studentë dhe javën që vjen ne do të shpallet edhe formulari i ri A3 në mënyrë që të rikonkurojnë studentët që nuk kanë pasur mundësi të fitojnë një vend studimi.
“Ndërkohë janë miratuar rreth 15 mijë e 500 kuota për nivelin e dytë të sistemeve, master. Marrë në tërësi në këtë vit akademik ulen në auditoret e universiteteve tona rreth 52 mijë studentë në të re nivelet e studimeve, një numër ky i barabartë me numrin total të studentëve që kishte Shqipëria në vitin 2004”, theksoi zoti Tafaj.
Ministri i Arsimit nënvizoi se “tani të gjithë së bashku përballemi me një sfidë tjetër më të vështirë dhe afatgjatë, rritja e cilësisë dhe krijimi i kulturës së nevojshme për vlerësimin e cilësisë në cdo institucion të arsimit të lartë në Shqipëri”. “Ju jeni faktori kyç edhe në këtë përballje”, tha ai.
“Cilësia kërkon më shumë auditore, laboratorë biblioteka dhe kapacitete të tjera dhe qeveria është e angazhuar për rritjen e investimeve në arsimin e lartë, ajo i ka akorduar kampuse 5 universiteteve publike në vend”, theksoi Tafaj.