E Shtunë, 31 Tetor 2026

Biografia e Stiv Xhobs: Që fëmijët e mi ta kuptojnë pse shpesh u kam munguar

 Në vitin 2004, kur më kërkoi për herë të parë të shkruaja biografinë e tij, iu përgjigja me një ton shakaxhiu: Para pak kohësh kam botuar një biografi të Benjamin Franklinit dhe tani po shkruaj atë të Albert Ajnshtajnit. Ju ndiheni ndjekësi i këtyre të dyve? Nuk do ta shkruaj historinë tuaj tani, por pas 20 vjetësh, kur të dilni në pension.

Biografinë e Stiv Xhobs, vepra monumentale prej 565 faqesh e pritur nga të gjithë, Uollter Izaksonit i është dashur ta shkruajë shumë më parë sesa e kishte menduar. Ai ka filluar ta shkruajë para 3 vitesh dhe pritej ta publikonte në prill të 2012-s.

Vendimi për ta afruar në 21 nëntor të 2011-s publikimin e biografisë së Xhobs erdhi pas përkeqësimit të gjendjes së tij shëndetësore dhe largimit të tij nga drejtimi i grupit Apple. Vdekja e liderit karizmatik që bashkoi në një inxhinierinë, artin dhe inovacionin ka provokuar një bum prenotimesh për librin, i cili në pak orë ka fluturuar nga vendi i 384 në krye të klasifikimit të librave bestseller të Amazon.

Kjo ka bërë që shtëpia botuese të afrojë edhe më shumë datën e publikimit. Stiv Xhobs do të jetë në librari në 24 tetor dhe ekspertët flasin për një tirazh prej miliona kopjesh, ndjekur më pas nga një film.

Autori i biografisë, ish-drejtor i revistës Time dhe rrjetit CNN, tashmë president i Aspen Institute, flet për 50 takime me këtë personazh jashtëzakonisht kompleks, të obsesionuar pas kontrollit, perfeksionist i fiksuar, që flet për veten njësoj si për një artist. Kishte zakon të fiksonte sytë e njerëzve pa rrahur qerpikët, me momente të gjata heshtjeje domethënëse që ndiqeshin nga breshëri fjalësh.

Duke përshkruar personazhin e tij, Izakson tregon sesi tek një personazh i tillë, pasioni, obsesioni, dëshirat, estetika dhe demonët ishin pjesë integrale të qasjes së tij në botën e biznesit, madje bëheshin pjesë e produkteve që ai krijonte. Kjo ishte arsyeja që e bëri Izaksonin të shkruante biografinë e tij, e cila do të ishte në njëfarë mënyrë një rast studimi i gjenisë krijuese.

Paralel me shkrimin e bigrafisë ka ndodhur edhe avancimi i sëmundjes së Xhobs, çka e ka ndryshuar edhe fokusin e rrëfimit të Izaksonit. Agonia e gjatë e Stiv Xhobs e ka shtuar numrin e faqeve të librit nga 440 faqe në 656. Izakson i ka vazhduar takimet me Xhobs deri në javët e fundit të jetës.

4 javë më parë, gjatë vizitës së tij në shtëpinë e Xhobs në Palo Alto në Kaliforni, Izakson shprehet për të: I përvuajtur por i qartë në mendime, me të njëjtën gjuhë të prerë e me ironinë e tij gërryese. Folëm për fëmijërinë e tij dhe më dha një foto të të atit për ta përfshirë në biografi. Më pas vjen momenti i trishtë i lamtumirës. Izakson i drejton pyetjen e fundit: Përse pas një jete të tërë të rezervuar, keni vendosur të shpreheni hapur në këto 50 takime që kemi pasur bashkë?

Dhe përgjigjja: Sepse dua që fëmijët e mi të më njohin më mirë. Shpesh nuk kam qenë i pranishëm kur ata kanë pasur nevojë për mua. Dua që të marrin vesh arsyen se pse dhe me çfarë po merresha.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›