E Diel, 1 Nëntor 2026

Nis zbatimi i sistemit “Dritarja e vetme kombëtare”, lehtëson shërbimet ndaj biznesit

TIRANË, 11 shkurt/ATSH/ Zbatimi i sistemit “Dritarja e vetme kombëtare” (NSW) ka nisur zyrtarisht, duke shënuar një hap të rëndësishëm drejt modernizimit dhe digjitalizimit të procedurave tregtare dhe doganore në vend

Ceremonia u zhvillua në ambientet e Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave dhe shënon fillimin e zbatimit të projektit, i financuar nga një kredi e Bankës Botërore, në kuadër të iniciativës “Lehtësimi i tregtisë dhe transportit në Ballkanin Perëndimor”.

Zbatimi vjen pas nënshkrimit të kontratës nga Ministria e Ekonomisë dhe Inovacionit më 28 janar 2026 dhe synon unifikimin e procedurave të institucioneve shtetërore që lidhen me importe, eksporte dhe transit, duke krijuar një platformë të vetme digjitale për shkëmbimin e dokumentacionit dhe të dhënave.

14 institucione dhe agjenci do të jenë pjesë e këtij sistemi, duke përfshirë ato që lëshojnë licenca, certifikata dhe autorizime për proceset tregtare ndërkufitare.

Në takim u diskutuan fazat kryesore të zhvillimit të sistemit, qasja e implementimit dhe rolet e secilit institucion përfitues dhe përdorues.

Gjithashtu u prezantua kuadri kontraktual, objektivat e sistemit, metodologjitë e menaxhimit të projektit, fazat e zhvillimit nga specifikimi dhe testimi deri te pilotimi dhe vendosja përfundimtare, si dhe modeli i qeverisjes dhe strukturat organizative.

Drejtoria e Përgjithshme e Doganave theksoi rëndësinë e angazhimit të institucioneve partnere, duke vlerësuar se ky projekt strategjik do të përmirësojë ndjeshëm lehtësimin e tregtisë, transparencën dhe shërbimet ndaj biznesit dhe operatorëve ekonomikë.

1 nga 3

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›